Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka
deklaruar se Kosova shumë shpejt do të marrë udhërrëfyesin për
liberalizimin e vizave.
Këto komente, sipas “REL”, eurodeputetja i ka bërë përmes një video-konference me studentët e universitetit “AAB & Riinvest”, në Kosovë.
“Parlamenti Evropian është i përkushtuar që t’i afrojë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor sa më pranë Bashkimit Evropian”, ka thënë Lunaçek.
Brukseli zyrtar i ka premtuar Kosovës se do t’ia dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave gjatë pranëverës së këtij viti.
Më herët gjatë muajit, Lunaçek mbështeti kritikat e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi ndaj Brukselit, se nuk ka një vizion të qartë për Kosovën.
“Unë pajtohem me deklaratat e kryeministrit dhe të gjithë ata që më njohin në Kosovë e dinë se unë e kam kritikuar BE-në dhe në veçanti disa shtete anëtare”, deklaroi eurodeputetja.
Vetë Thaçi lëshoi një sërë kritikash ndaj Bashkimit Europian, që sipas tij po tregohet i padrejtë ndaj përparimeve të Prishtinës në proçesin e integrimit.
Madje, kryeministri kosovar tha se, përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e BE-së, ky i fundit ka vepruar me hapa të ngadaltë.
Nga ana tjetër, Thaçi po ushtron presion mbi ministrat e kabinetit qeveritar për realizimin e axhendës që orienton Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Top Channel