Protestë kundër racizmit

07/05/2012 00:00

Qindra qytetarë zhvilluan një marshim-protestë, në Bulevardin “Dëshmorët
e Kombit” në Tiranë, për të protestuar kundër qëndrimit të ministres së
Brendshme maqedonase Jankullovska dhe ministrit të Brendshem serb Ivica
Daçiç, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë asnjëherë terroristë. Të mbrojmë të vërtetën dhe të drejtën e vëllezërve dhe motrave tona në Shkup e po ashtu edhe në Preshevë, të cilët po cënohen ditë për ditë, të cilët janë dhunuar”, thotë një prej protestuesve.

Levizja Shqiperia e Re, ne mbeshtetje te Kushtetutes se Shqiperise, beri te ditur se ka bere kallezim penal me akuzen e shpendarjeve te materialeve kopmjuterike ‘pro’ genocidit ose krimeve kunder njerezimit.

Protestuesit jane ndalur prane ambasades maqedonase dhe asaj serbe, duke dorezuar kallezimin penal per perfaqesuesit e shteteve respektive.

Shkup, shfryhen akuzat e Jankullovskës

Në mungesë provash për veprën penale të terrorizmit, nga paraburgimi janë liruar 13 nga 20 personat e arrestuar më 1 maj nga policia maqedonase. Në paraburgim mbeten vetëm 3 të akuzuarit e drejtpërdrejtë për vrasjen e pesëfishtë si dhe 4 persona të tjerë që akuzohen për posedim armësh pa leje.

Aksioni policor ku u arrestuan 20 persona të cilët u quajtën “radikalë islamikë”, sipas PDSH-së i ngjan më shumë një “konstruksioni politik”.

“Forma e zgjedhur për komunikim me publikun e MPB-së është e papranueshme, paragjykuese dhe jo e besueshme. Është e palejueshme që me këtë rast ordiner të bëhet politikë arkaike, politikë që ngjall konflikte fetare dhe etnike. Me keqardhje konstatojmë se qëndrimi i BDI-së pas arrestimit të dhjetëra shqiptarëve ishte më i keq dhe më i shëmtuar se ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Nga Rilindja Demokratike Kombëtare thanë se tentativat që dukuritë kriminale të zhvendosen në rrafshin fetar, janë të rrezikshme.

“RDK është kundër krijimit të pretekstit për akuza të pabaza në rrafshin nacional, fetar dhe kundër çfarëdo lloj skenari që do mund ta çonte në një spirale të dhunës dhe jostabilitetit të kontrolluar për motive të përfitimit konjuktural politik”, reagoi Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar flet-arrest ndërkombëtar për dy personat që ndodhen në arrati, të cilat akuzohen për vrasjen e pesëfishtë.

Për të premten në Shkup është paralajmëruar mbajtja e një proteste paqësore në shenjë revolte kundër arrestimeve të shqiptarëve të pafajshëm, që shfaqen nëpër media dhe akuzohen si pjesë e rrjetit të “islamit radikal”. 

 

Top Channel