PS: Sula të përjashtohet nga Parlamenti!

06/05/2012 00:00

Partia Socialiste reagoi me tone tejet të ashpra ndaj ngjarjes së Peqinit, në të cilit deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht sponsor i Shkumbinit, Dashnor Sula, kërcënoi futbollistët miq të Flamurtarit duke qëlluar me pistoletë në dhomat e zhveshjes.

Në një deklaratë për shtyp nga selia rozë, deputeti Fidel Ylli e konsideroi në mesditë ngjarjen si një skandal dhe kërkoi që të merren masa të menjëhershme ndaj kolegut të tij.

“Për mua është e pakonceptueshme si ky njeri, pa dashur t’i vë epitete, shkon dhe bën një sjellje të tillë skandaloze të përsëritur nëpër stadiume një ditë më parë dhe të nesërmen, vesh kostumin e vjen midis nesh në Parlament, në Komisionin e Sigurisë dhe përfaqëson popullin shqiptar. Për mua, është e pakonceptueshme se si zonja Kryetare e Parlamentit apo zoti Kreministër nuk e ka thirrur asnjëherë këtë deputet e as nuk e kanë dënuar ndonjëherë këtë sjellje të tillë të turpshme”, deklaroi Ylli.

Sipas tij, incidenti i Peqinit nuk mund të kalohet edhe këtë herë, sepse “deputeti Sula është bërë edhe më parë protagonist i sjelljeve skandaloze në stadium, ndërsa kjo e fundit e ka kaluar çdo limit. Nëse ai nuk do të ishte i veshur me imunitetet, por një njeri i zakonshëm, do ta kishte kaluar jetën burgjeve. Me gjestet e tij, ai ka turpëruar Shqipërinë, flamurin tonë dhe qytetin sportdashës të Peqinit, të cilin përfaqëson”.

Në fund, deputeti Ylli bëri edhe një përmbledhje të gjendjes në të cilën ndodhet sporti shqiptar, duke theksuar se platform e Partisë Socialiste, për një “Rilindje Shqiptare”, është e vetmja që ofron një shans të vërtetë për rimëkëmbjen e sportit në vend.

Peqin, terror në stadium

Deputeti i PD i qarkut të Elbasanit, Dashnor Sula bëhet sërish
protagonist në një ndeshje futbolli, por këtë herë jo vetëm me sharjet e
tij.

Burime pranë FSHF konfirmojnë zërat e shumtë se pak para fillimit të ndeshjes Shkumbini–Flamurtari, deputeti i Peqinit, Dashnor Sula ka shtënë në fillim me armë në korridoret e stadiumit të Peqinit për të ushtruar presion ndaj skuadrës kundërshtare dhe gjyqtarëve të ndeshjes dhe më pas në ambjentet e jashtme të stadiumit.

Edhe pse pas këtij momenti gjatë zhvillimit të ndeshjes është vënë re prezenca e forcave të shumta të policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, drejtuesit e policisë së këtij qyteti kanë mohuar zërat se ka patur të shtëna armësh ndërkohë që kanë pranuar se ka patur tension para dhe gjatë kësaj sfide.

Nëse gjyqtarët dhe delegatët e ndeshjes do ta raportojnë këtë ngjarje të rëndë në relacionet e tyre, rregullorja e FSHF vendos disa sanksione, humbja  e ndeshjen në tavolinë dhe heqja e 3 pikë, ndërkohë që në raste ekstreme klubi organizator ndërshkohet me rënie direkte në një kategori më poshtë.

Sa për kronikë, goli i Diop me 11 metërsh i dha fitoren 1-0 Shkumbinit ndaj Flamurtarit. Në fund të ndeshjes lojtarët e skuadrës vlonjate kanë lënë stadiumin e Peqinit pa dhënë asnjë koment mbi të shtënat e armëve para ndeshjes.

Top Channel