Partitë e vogla avancojnë përpjekjet e tyre në ndryshimet që kërkojnë të përfshihen në kodin e ri zgjedhor, duke hartuar një draft me propozime, i cili do t’i dërgohet në ditët në vazhdim komisionit të reformës zgjedhore.
Partitë e vogla të majta kanë mundur të bindin Partinë Socialiste dhe Edi Rama ka firmosur draftin e tyre, ndërsa nuk ka ende një vendim se çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Demokratike.
Duke komentuar firmosjen e draftit nga Rama, Ilir Rusmali, i cili përfaqësoi PD në tryezën e partive të vogla, i tha Top-Channel se i mirëpret propozimet. Zoti Rusmali tha se eshte një hap pozitiv që nga dje në sot, zoti Rama ndryshoi qëndrim.
Partitë e vogla kanë kristalizuar në kërkesa konkrete tashme idete e hedhura një dite më parë në tryeze, të cilat janë:
1– Ndryshimi i formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve, duke e plotësuar atë me korrektimin e votave në shkallë kombëtare ose nëpërmjet gjetjes së zgjidhjeve që mbështesin ndarjen e mandateve në bazë të votave që kanë marrë konkuruesit dhe në proporcion të drejtë me to.
2– Uljen e pragut elektoral si për partitë poltike që konkurojnë me vete ashtu edhe për koalicionet zgjedhore, duke marrë në konsideratë si sistemin aktual zgjedhor, me ndryshimet e mundshme të formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes të mandateve, ashtu dhe respektimin e trendit të peshës politike të partive të vogla.
3– Sanksionimin e aksesit të plotë për vëzhgimin e procesit zgjedhor nga të gjitha subjektet konkurruese.
Pasi ka marrë firmën e Partise Socialiste, Paskal Milo ka përshëndetur këtë hap të ndërmarrë nga Edi Rama
“Sot ne jemi marrë pikërisht, duke takuar kryetarët e partive të ndryshme politike, së bashku me bashkëkryetarin e tryezës që organizuam një ditë më parë, zotin Madhi, kemi ndarë detyrat. Unë jam marrë sot duke kontaktuar me kryetarët e partive të opozitës dhe kam arritur që të marr të gjitha nënshkrimet e kryetarëve të partive të opozitës, duke filluar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe të gjithë partitë që ishin një ditë më parë në tavolinë, që përfaqësonin opozitën. Tani jemi duke pritur ndërkohë që zoti Madhi të marrë edhe ai nënshkrimet nga përfaqësuesit e partive politike të maxhorancës. Ajo që kërkojmë nga ky dokument dhe që besoj se do t’i shkojë shumë shpejt Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore është një çështje shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët qofshin ata që votojnë për spektrin e majtë, qofshin ata që votojnë për spektrin e djathtë”, tha Milo.
Mbetet e paqartë nëse kreu PD-së, Sali Berisha, do ta firmosë apo do të kundërshtojë përfshirjen e tyre në ligjin e ri elektoral, për të cilën një gjë ka të sigurtë. Partia Socialiste nuk da ta ketë kusht për hartimin e reformes zgjedhore.
Top Channel