Anders Behring Breivik, njeriu që vrau 77 persona të motivuar nga ndienjat neonaziste në Norvegji, u shpreh përpara gjykatës se i gjithë procesi do të kishte vetëm dy përfundime të logjikshme, lirimin ose dënimin e tij me vdekje.
Sipas 33-vjeçarit, dënimi me burgim do të ishte një “dënim patetik”, por maksimumi i ndëshkimit që mund të marrë ai është dënimi me 21 vite burgim deri në të përjetshëm, pasi Norvegjia nuk e njeh ligjshmërinë e dënimit me vdekje, ndërsa burgimi mbi 21 vjet, që përbën maksimumin, mund të zgjatet vetëm nëse pas vuajtjes së kësaj periudhe, i burgosuri vazhdon të konsiderohet si shumë i rrezikshëm për komunitetin.
”Dënimi me 21 vite burgim do të ishte një masë krejtësisht e pakuptimtë për mua”, deklaroi Breivik, i cili i pyetur nëse dëshiron të vdesë, u përgjigj: “Jo, dua të jetoj, por nëse do të dënohesha me vdekje, do ta kuptoja dhe do ta respektoja vendimin e gjykatës”.
Në seancën e radhës të gjyqit që nisi më parë gjatë prillit, 33-vjeçari deklaroi gjithashtu se “vazhdon të jetë tepër i befasuar që arriti t’i mbijetonte sulmit pa u vrarë nga forcat speciale që ndërhynë për ta kapur”.
”Përpara sulmit u përgatita shpirtërisht me idenë se ajo do të ishte dita ime e fundit e jetës. Mendova se nëse gjithçka do të shkonte siç doja, do të kisha vetëm 5% mundësi që të jetoja të nesërmen pa u vrarë nga forcat policore”, deklaroi Breivik me sinqeritet.
Seanca u përqendrua ndërkohë në deklaratat e mëparshme të Breivik, i cili pretendon se në Europë ekziston një rrjet i gjerë neonazistësh.
Top Channel