Mario Gomez i mban gjallë shpresat e Bajern Mynich për një kualifikimi të mundshëm në finalen e Champions, sfidë kjo që do të luhet me 19 maj pikërisht në stadiumin e tyre “Allianz Arena”. Gjermanët fitojnë 2-1 ndaj Real Madrid që dha pamjen e një skuadre shumë të lodhur ose të paorganizuar sidomos në pjesën e parë.
Vendasit zhbllokuan rezultatin në minutën e 17’ me francezin Ribery. Bavarezët kishin edhe një tjetër rast me Gomez në fundin e pjesës së parë, por Casillas devioi topin duke mos e lejuar të pëfundojë në rrjetë.
Në fillimin e të dytës, Reali pas një kundërsulmi të shpejtë gjen dhe golin e barazimit. Mesut Ozil e pati të lehtë të dërgojë në portë një asisit të Ronaldos. Pas këtij momenti, Mourinho i cili mendonte se ia arriti qëllimit bëri disa ndryshime në mbrojtje të rezultatit.
Bajerni u tregua më kërkues, por Gomez u tregua i pasaktë para portës kundërshtare. Bavarezët që shquhen për disiplinën gjermane mbajtën nën presion madrilenët deri në fund, atëherë kur dhe u shënua goli i fitores me autor Mario Gomez.
Ndërkohë mediat spanjolle, shkruajnë në faqet e tyre online se para ndeshjes, në kohën kur skuadrat kanë qenë duke bërë dhe nxehjen një hajdut është futur në dhomat e zhveshjes së skuadrës madrilene dhe ka vjedhur këpucët e Ronaldos, Ozil dhe karim Benzemas.
Sipas gazetës Marca, klubi madrilen ka bërë një denoncim në UEFA për këtë gjest të shëmtuar.
Top Channel