Dështimi i raketës së Koresë së Veriut

13/04/2012 00:00

Uashingtoni dhe aleatët e tij kritikuan Korenë e Veriut për lëshimin e raketës që përfundoi në Detin e Verdhë.  Duke e akuzuar vendin se po kërcënon sigurinë rajonale, SHBA tha se Penani, s’po bën gjë tjetër veçse po izolohet nga pjesa tjetër e botës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney nënvizoi se “lëshimi i raketës, shkel ligjin ndërkombëtar dhe bie ndesh me angazhimet e fundit të Koresë së Veriut, sipas të cilave duhet të pezullojë cdo test raketash në këmbim të ndihmës ushqimore”.

Vëzhguesit koreano-jugorë dhe ata amerikanë shpjeguan se Penani e lëshoi raketën UNHA-3, në orën 07:40 minuta me orën lokale nga  Colsan që ndodhet në brigjet perëndimore të vendit. Vetëm dy minuta, pas lëshimit ajo u shkatërrua dhe përfundoi në det, 165 km në perëndim të Seulit.

Pavarësisht se Peniani pranoi dështimin, festimet në vend vazhduan. Qëllimi zyrtar ishte hedhja e një sateliti të motit në hapësirë, një eveniment që do të përkonte në 100-vjetorin e lindjes e “atit të kombit, Kim Il-Sung, gjyshit të Kim Jong-Un.

Dhjetëra njerëz morën pjesë në festimet e organizuara në kryeqytetin e Koresë së Veriut, ku u zbuluan dy statuja gjigande të Kim Il Sung dhe të birit, Kim Jong Il.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Sung Hean akuzoi Veriun se po shkel qartazi rezolutat ndërkombëtare që ndalojnë çdo lëshim duke përdorur teknologjinë balistike të raketave.

Në Japoni, autoritetet e cilësuan një provokim të rëndë dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Kina dhe Rusia, aleatët më të afërt të Penianit bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve shumëpalëshe për programin bërthamor.

Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieci duke folur në Moskë, krah Lavrov në një konferencë të përbashkët, ku ishte i pranishëm dhe homologu indian, u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i Penianit për ta cuar deri në fund lëshimin e raketës. Kryediplomati rus, Sergei Lavrov tha se Rusia nuk beson se sanksione të tjera do të bëjnë diçka për të zgjidhur situatën.

Shkencëtarët dhe ekspertët po përpiqen të japin një përgjigje për dështimin e testit.  Profesori koreano-jugor, Kim Keun Sik, drejtor i kërkimeve në Insitutin e Studimeve të Lindjës se Largët, tha se Peniani humbi shansin për të ushtruar presion ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai e shpjegon dështimin mungesën e përmirësimit të teknologjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA