Fier, Fatmir Kajolli në arrest shtëpie

11/04/2012 00:00

Gjykata e shkalles së parë në Fier ka befasuar shumëkënd me vendimin e saj kur la me arrest shtëpie shtetasin Fatmir Kajolli, i cili u arrestua nga policia per shkak se ishte në kërkim ndërkombëtar prej 10 vjetësh nga drejtësia italiane.

Arrestimi i tij u bë dy ditë më parë dhe në mesditën e së mërkurës është bërë seanca për masën e arrestit pa praninë e mediave. Në këtë seancë gjyqësore prokuroria e rrethit paraqiti si dokument për kërkesën e arrestit me bug pa afat, fletë-arrestin ndërkombëtar për Kajollin.

Si person në kërkim ndërkombëtar ai duhet të qëndronte në burg deri sa pala italiane të sillte dokumentacionin dhe kërkesën për ekstradimin e tij në Itali, ku Kajolli ka marrë dy dënime me burgim në total prej 40 vjetësh për trafik droge.

Gjykata megjithatë nuk mori parasysh këto kërkesa dhe vendosi lënien në arrest shtëpie të të kërkuarit prej 10 vjetësh. Fatmir Kajolli është shumë i njohur në qytetin e Fierit për angazhimin e tij politik, prej tre mandatesh si këshilltar bashkiak i Partisë Republikane.

Kajolli është përfolur për lidhjet e tij të ngushta me ministra të qeverisë aktuale, por edhe për angazhimin në fushën e biznesit. Së fundmi Kajolli ka marrë të drejtën e menaxhimit të parkimeve publike nga bashkia e Fierit.

Ai rezulton të ketë qenë në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2001, kur gjykata e Milanos e kishte dënuar me 16 vjet burg për trafik droge. Më pas gjykata e Romës i ka dhënë një tjetër vendim prej 24 vjetësh për pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikimin e drogës.


Arrestimi i vonuar i Kajollit
solli edhe polemika në distancë mes ministrit të Brendshëm Bujar Nishani dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Nishani sulmoi prokurorinë kur u shpreh se duhet të kishte informacion për Kajollin, të cilin nuk ia ka paraqitur policisë.

Prokuroria u përgjigj se Kajolli ishte shpallur në kërkim dhe se për këtë policia ka patur njoftim që ditën e parë për sa kohë Interpoli është ai që ka akses në çdo moment në listat e personave të kërkuar nga drejtësia italiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA