Mali, rebelët shpallin pavarësi

06/04/2012 08:20

Rebelët që kontrollojnë veriun e Malit shpallën pavarësinë nga qeveria qëndrore, duke e pagëzuar shtetin e ri me emrin Azauad.

Lëvizja Kombëtare për Pavarësinë e Azauadit e bëri njoftimin nëpërmjet faqes së saj në internet, ndërsa theksoi se organizata do të respektojë kufijtë shtetërorë të shteteve të tjera, përfshi pjesës së mbetur së Malit dhe se do të aplikojë për të fituar antarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Rebelët duket se kanë përfituar nga kriza politike që po përjeton vendi i Afrikës Qëndore pasi një grusht shtetit rrëzoi qeverinë e ligjshme, për të bërë këtë hap drejt shkëputjes. Megjithatë, nuk pritet pavarësia e Azauadit të njihet nga ndonjë shtet, edhe pse Mali prej kohësh ka humbur çdo kontroll mbi gjysmën veriore të vendit.

Grushti i shtetit i ushtarakëve u motivua pikërisht nga paaftësia e autoriteteve për të mposhtur rebelët. Megjithatë, këta të fundit i kanë dhënë pak “frymëmarrje” Bamakos, duke thënë se pas pushtimit të disa qyteteve, nuk do të avancojnë më në jug drejt kryeqytetit.

Deklarata e pavarësisë vjen disa ditë pasi “Amnesty International” paralajmëroi për një katastrofë humanitare, të shkaktuar nga një thatësirë e pazakontë që ka dëmtuar të korrat, që mund të rezultojë fatale bashkuar me mungesën e qëndrueshmërisë politike, në atë që është një prej shteteve më të varfëra në botë.

Pas pushtimit të qyteteve të Gaos, Kidalit dhe Timbuktusë nga ana e rebelëve, plaçitje të shumta kanë ndodhur në zonë.

Për OKB-në, shqetësues është edhe forcimi i një grupi terrorist, Ansar Dine, i lidhur ngushtësisht me Al-Kaedën. Fraksioni brenda rebelëve është gjithmonë e në fuqizim dhe ai kërkon vendosjen e ligjit islamik në Azauad.

Lëvizja e rebelëve me etni tuarege është forcuar së fundmi nga mbërritja e mijëra luftërë mercenarë, që luftuan për Gaddafin në Libi, të cilët janë rikthyer në vendin e tyre të armatosur dhe me njohuri të pasura luftarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA