Vizita e kryeministrit Sali Berisha në Turqi ka nxjerrë në pah marrëdhenien e ngushte politike dhe ekonomike që dy vendet kanë ruajtur historikisht me njëri-tjetrin.

Pas nje takimi kokë më kokë me kryeministrin Berisha, homologu turk, Rexhep Taip Erdogan e vlerësoi Shqipërinë si një aleat strategjik të Turqisë në Ballkan.

Dhe duke qenë se në këtë kohë globalizimi, aleancat strategjike nuk kuptohen pa ato ekonomike, kryeministri Erdogan deklaroi qëllimin e Turqisë për të shtuar investimet në Shqiperi, edhe për shkak se sipas tij, investimet e huaja janë më të sigurta në një vend që s’u prek nga kriza ekonomike globale.

”Mund të them se Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Europë dhe në Ballkan që nuk u prek nga kriza ekonomike. Shqipëria e kaloi këtë situatë pa vështirësi të mëdha, ashtu si Turqia. Shqipëria, me drejtimin e vet të suksesshëm financiar dhe ekonomik e kaperceu këtë periudhe. Sigurisht, duhet që duke u mbështetur fort në potencialet tona të vijojmë zhvillimin dhe mendoj se për sa kohë që do të jetë e sigurt dhe e stabilizuar, Shqipëria do të jetë shumë më e fortë”, theksoi Erdogan.

Në deklaratën e tij, kryeministri turk shtoi: “Përderisa Shqipëria është një shtet që po tërheq investimet e huaja, kjo ekonomi do të vazhdoje të fuqizohet akoma më shume. Aktualisht, volumi tregtar mes dy vendeve është 400 milionë dollarë. Sigurisht që kjo nuk është një shifër që tregon kapacitetin e vërtetë të dy shteteve. 30 biznesmenë turq kanë investuar në Shtetin Shqiptar, gjë e cila rrit dhe marrëdheniet ekonomike mes dy vendeve tona. Investimet e tyre kapin shifren e 1 miliardë dollarëve”.

Dy kryeministrat konfirmuan se Shqipëria dhe Turqia nuk kanë asnjë dallim në politikën e jashtme, madje ndajnë të njëjtin qëndrim të ashpër edhe ndaj Sirisë, çështje në të cilën kryeministri Erdogan ka marrë një rol lider kundër regjimit të presidentit Assad.

Për kryeministrin Berisha, ky është edhe një motiv tjetër e Shqiperia t’i japë ndihmën e saj modeste Turqisë në arenën e politikës botërore.

”Shqipëria do të mbështesë Turqinë me votën e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit, e bindur se Turqia do të luajë një rol të rëndësishëm në forumin më të lartë ndërkombëtar”, deklaroi Berisha.

Kryeministrat Berisha dhe Erdogan nuk kursyen tonet miqësore ndaj njëri-tjetrit dhe kryeministri Berisha gjeti si arsye të vërtetë lidhjet e vjetra mes dy popujve.

”Zoti kryeministër, ju falenderoj përzemërsisht për pritjen vëllazërore, e them kështu sepse kemi lidhje gjaku. Çdo delegacioni turk që takoj, i shtroj një pyetje: A ka midis tyre persona me origjinë shqiptare? Këtë pyetje do t’i drejtoj edhe kryeministrit Erdogan”, iu drejtua Berisha homologut të tij me doza humori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA