Kryetari i Partisë Liberal-Demokrate në Serbi, Çedomir Jovanoviç ka shpallur kandidaturën për president të vendit, duke premtuar se do të sjellë një Serbi ndryshe.

“Në këtë luftë do të sjell të vërtetën se Serbia nuk mund të vazhdojë ashtu siç ka ecur deri tani. Njerëzit e dinë këtë dhe do ta tregojnë në zgjedhje”, ka deklaruar Jovanoviç.

Politikani pro-perëndimor serb ka nënvizuar se gjatë fushatës së tij nuk do të përsërisë premtimet e bëra më parë, punësimin ekonominë dhe sigurinë, por do të ofrojë të vërtetën politike.

“Do të ofroj atë të vërtetë politike që duhet për të përmbushur nevojat e qytetarëve”, është shprehur Jovanoviç, i konsideruar si pasardhësi i Zoran Gjingjiç.

Përveç Jovanoviç dhe Boris Tadiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit, për postin e kreut të shtetit në Serbi do të garojnë edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç dhe lideri i Partisë Progresiste, Tomisllav Nikoliç.

Ditën e djeshme Jovanoviç ishte në Preshevë, ku u mirëprit nga banorët, të cilët i ofruan të pijë dhe i thanë se kur e shohin në televizor i gëzohen fjalimeve të tij.

Jovanoviç ishte serbi i parë që vizitoi Luginën e Preshevës në mënyrë miqësore, duke u thënë shqiptarëve se Serbia duhet bërë shtet shprese nga shteti i fatkeqësisë.

Gjithashtu, ai tha se popullit i duhet thënë të vërtetën se Kosova tashmë është një shtet dhe se tani duhet punuar së bashku.

Top Channel