“Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”.

Me këto fjalë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka paraqitur situatën e fundit në veri kongresmenëve amerikanë që po vizitojnë Kosovën.

Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga zyra e Krasniqit thuhet se, kryeparlamentari ka informuar zyrtarët amerikanë se Beogradi nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe se po krijon probleme në veri, siç ishte rasti i arrestimit të dy policëve në territorin e Kosovës dhe funksionimi i strukturave kriminale.

Delegacioni amerikan përbëhej nga kongresmenët David Dreier, David Price, Jim McDermot, Eric Paulsen dhe Gerry Conelly.

Zoti Krasniqi i ka informuar gjithashtu zyrtarët e Shteteve të Bashkuara mbi vështirësitë që po has Kosova, si zhvillimi i dobët ekonomik, papunësia e lartë, sundimi i rendit dhe ligjit, si dhe njohjen nga 5 vendet e mbetura të BE-së.

Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit, David Dreier është shprehur “krenar” për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe për ndihmën që vendi i tij po i jep shtetit të ri.

Më herët kongresmenët u takuan me presidenten Atifete Jahjaga, e cila duke folur për problemet e pakicës serbe nënvizoi se, pakoja e Ahtisarit ofron një gamë të gjerë të drejtash për serbët, duke e cilësuar atë si zgjidhjen më të mirë për integrimin e këtij komuniteti.

Nga ana e tyre kongresmenët vlerësuan se, Kosova është një vend që ka kaluar një histori të rëndë, por që ka treguar sukses në vitet e fundit, që nga shpallja e pavarësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA