Francë, aksion i ri kundër militantëve islamikë

04/04/2012 15:40

Vetëm një ditë pasi u konfirmuan akuzat për terrorizëm ndaj 13 personave të arrestuar një javë më parë, policia vendos nën pranga edhe dhjetë militantë të tjerë të dyshuar.

Vendi që u trondit nga vrasja e shtatë personave, në tre sulme të ndryshme të motivuara nga racizmi prej një algjeriani 23-vjeçar, është duke ndërmarrë një fushatë të ethshme kundër të gjithë atyre që propagandojnë vepra të dhunshme në emër të islamit.

Presidenti Nicolas Sarkozy është shprehur se radikalët muslimanë nuk kanë vend në Francë dhe se aksionet kundër tyre do të vazhdojnë.

Shumica e arrestimeve të të mërkurës kanë ndodhur në jugun e vendit, në kryqendrën marsejë dhe qytetet e tjera Karpentas, Valons dhe Po. Megjithatë, një i dyshuar u prangos në Rubeks, pranë kufirit belg.

”Agence France Presse” raporton nga burime të brendshme policore se operacionet janë ndërmarrë nga forcat speciale policore, pas informatave të siguruara nëpërmjet Shërbimeve Sekrete.

Një burim policor tha: “Të arrestuarit kanë një profil të ngjashëm me Mohamed Merah (atentatori i Tuluzës). Ata janë invidë të izoluar dhe të radikalizuar”.

Sipas tij, disa prej këtyre islamistëve kishin shprehur pikëpamje ekstreme në disa forume radikale, ndërsa të tjerë planifikonin të vizitonin Afganistanin, Pakistanin apo Afrikën Perëndimore, për t’u përgatitur për qëllimin e tyre të një lufte “të shenjtë” kundër perëndimit.

Francë, akuza terrori ndaj 13 militantëve

Akuzat terrori janë ngritur ndaj 13 miliantëve të dyshuar, të arrestuar në një aksion të gjerë policor të premten e shkuar.

Kryeprokurori i Franës, Francois Molins, konfirmoi të martën se disa prej të arrestuarve përballen edhe me akuzën e planifikimit të pengmarrjeve.

Molins bëri të ditur se do të kërkojë mbajtjen në burg të nëntë prej të dyshuarve, ndërsa katër më “të parrezikshmit” mund të lirohen me kusht deri në përfundimin e hetimeve.

Në total, 19 persona u arrestuan nga policia në aksionin e saj, por tre prej tyre u lanë të lirë pa akuza brenda 24 orëve dhe tre të tjerë presin ende të njihen me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Të arrestuarit besohet se janë pjesë e një grupi ekstremist, të quajtur “Forsane Alizza”, i shpallur i jashtligjshëm muajin e fundit.

Arrestimet u realizuan në disa qytete franceze, ndërsa dhjetë armë u sekuestruan gjatë aksionit policor. Aksioni erdhi pasi një militant i quajtur Mohammed Merah u vra nga policia, pas tre sulmeve të ndryshme me motive raciste, në të cilat vrau një total prej shtatë personash.

Top Channel