Presidenti serb Boris Tadiç ka konfirmuar dorëheqjen gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të tij.
Ndonëse kishte paralajmëruar që më parë se Serbia mund të shkonte në tri palë zgjedhje me 6 maj, ato parlamentare, lokale dhe presidenciale, pritej nga presidenti nëse do të vendoste për t’i dhënë një rëndësi më të madhe këtyre zgjedhjeve.
Analistët serbë kanë vlerësuar se Tadiç e sheh si një mundësi më të mirë garën në këtë kohë dhe pjesëmarrja e tij do t’i japë zgjedhjeve një peshë shumë më të madhe për të fituar edhe zgjedhjet parlamentare dhe lokale.“I futem me optimizëm kësaj gare presidenciale duke pasur parasysh trendin pozitiv në vendin tonë”, ka thënë ai mëngjesin e së mërkurës.
Boris Tadic, psikolog me profesion, ka udhëhequr Serbinë dy mandate, pas vrasjes së kryeministrit demokrat, Zoran Gjingjic. Ndërsa pjesëmarrjen në garë edhe për një mandate ia mundëson ndryshimi i kushtetutës së bërë pas pavarësisë së Malit të Zi pasi mandati i parë nuk është llogaritur ligjërisht.
Ai ka fituar zgjedhjet katër vjet më parë me sloganin “për një Serbi evropiane” dhe mbështetjen e kishte rritur duke u ndarë nga kryeministri nacionalist, Vojisllav Koshtunica. Ndërkohë ka arritur të shkrijë procesin integrues, liberalizmin e vizave dhe të bëjë vendin kandidat për integrim në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër ka ashpërsuar politikën me Kosovën duke promovuar politikën edhe Kosova edhe Evropa, ndonëse është shprehur kundër ndonjë lufte të re.
Gjatë kësaj kohe u ka kërkuar falje kombeve që Serbia u ka shkaktuar dhimbje gjatë viteve ’90 dhe ka vizituar dy herë Srebrenicën, vendin e masakrës më të madhe të kryer nga serbët në Bosnje.Mandatin deri në zgjedhje do ta marrë kryetarja e kuvendit, socialistja Sllavica Gjukic-Dejanovic.
Top Channel