Philippe Mexes më në fund kërkon falje. Mbrojtësi i Milanit, pas sfidës miqësore Gjermani-Francë ka kërkuar ndjesë për grushtin që i dha Borriellos në ndeshjen Milan-Juventus.
“I kërkoj falje Borriellos, shokëve të skuadrës dhe klubit të Milanit. Bëra një gjest shumë budalla, por tani duhet të shohim para”, deklaroi qendërmbrojtësi francez.
Në ndeshjen që u zhvillua në Bremen lojtari i Milanit ka takuar sërish Tagliaventon, arbitrin e takimit ndaj Juventusit, i cili ashtu si anësori nuk pa një gol të rregullt të kuqezinjve.
“Fola me Tagliaventon jo për golin, por për incidentin me Borriellon”, nënvizoi Mexes.
Pato mungon ndaj Palermos
Duket se nuk kanë të mbaruar dëmtimet për Paton. Sulmuesi i Milanit, i
cili doli nga loja pas përfundimit të pjesës së parë të takimit kundër
Juventusit, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Allegri për
transfertën e Palermos për shkak të një problemi muskulor.
Pato nuk ka bërë stërvitje në fushë, por vetëm ushtrime në biçikletë brenda palestrës.
Edhe Maxi Lopez me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e Milanit për këtë ndeshje. Sulmuesi argjentinas i blerë në merkaton e janarit nuk është rekuperuar ende nga dëmtimi i tij në pulpë.
Për të dytën ditë radhazi janë stërvitur me grupin mesfushorët Gennaro Gattuso dhe Mathieu Flamini, të cilët kanë muaj të tërë që nuk luajnë për shkak të dëmtimeve respektive. Nuk dihet ende me saktësi se kur do të rikthehet italiani, ndërsa francezi është i gatshëm nëse Allegri vendos ta grumbullojë.
Top Channel