Kosova është gati të festojë përvjetorin e katërt të pavarësisë, që do
të kremtohet me evenimente të ndryshme, si politike ashtu dhe shoqërore.
Ditën e enjte Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne, ku do të flasin kryetari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Përveç fjalimit në Kuvend, presidentja Jahjaga ka organizuar edhe një pritje tradicionale në selinë e Presidencës, ku do të jenë të pranishëm edhe ambasadorët e huaj.
Ndërkohë, më 17 shkurt, festimet do të nisin me një paradë të trupave të FSK-së në sheshin “Nënë Tereza”, që do të ndiqet nga fjalime të politikanëve të ndryshëm.
Gjatë kësaj dite, kryeministri Hashim Thaçi do të përurojë edhe selinë e re të ambasadës kosovare në Tiranë, bëjnë të ditur mediat kosovare.
Clinton: SHBA, gjithmonë pranë Kosovës
Me rastin e kësaj feste kaq të rëndësishme, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në emër edhe të presidentit Barack Obama, ka uruar popullin e Kosovës.
“Kosova mund të jetë një shtet i ri, por ju keni një të ardhme premtuese dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike”, është shprehur Clinton në mesazhin e saj.
Shefja e diplomacisë amerikane ka vlerësuar punën e deritanishme të lidershipit kosovar për realizimin e aspiratave të popullit të tyre, si dhe hapat e para të hedhura për konsolidimin dhe demokratizimin e institucioneve.
“Kjo rrugë do t’i çojë qytetarët e Kosovës drejt integrimit të plotë euro-atlantik. SHBA do të punojnë me popullin kosovar për një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më prosperuese”, ka thënë Clinton.
Topi uron Jahjagën
Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, uron Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga për ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Ky është një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë, duke na bërë të ndihemi shumë krenarë jo vetëm për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për progresin e madh në ndërtimin e shtetit që Kosova dhe qytetarët e saj po arrijnë, drejt përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur. Këto suksese janë arritur nga sakrifica të mëdha dhe shekullore të të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, duke bërë që dy vendet tona të jenë gjithmonë e më afër në të gjitha drejtimet”, thuhet në mesazhin e Topit.
Kreu shqiptar i shtetit rikonfirmoi mbështetjen e përzemërt dhe vllazërore të Shqipërisë, qytetarëve dhe shtetit shqiptar.
“Shteti i ri i Kosovës është njohur tashmë nga 87 shtete të ndryshme, por edhe është anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore. Këto suksese, përpjekjet tuaja, si dhe vështirësitë e sfidat e reja që po kaloni janë pjesë e rrugës së pakthyeshme drejt integrimit euroatlantik që ju po synoni. Ne ju sigurojmë që këtë rrugë do ta kalojmë së bashku hap pas hapi, duke bërë që integrimi i suksesshëm i dy vendeve tona do të çojë në paqe të qëndrueshme, demokraci të plotë, zhvillim ekonomik dhe shtet ligjor, kaq shumë të munguara dhe të dëshiruara në të gjithë rajonin e Ballkanit”, thuhet më urim.
Top Channel