Në kohën kur ndërmjetësuesi europian Robert Kuper ndodhet në Prishtinë për të nxitur vijimin e dialogut të Brukselit, mbajtja e referendumit nga serbët e veriut është dënuar nga BE, e cila fton vetëm për zgjidhje nëpërmjet dialogut mes palëve.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton: Qëllimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë. Kemi kohë që e themi se ka një situatë të veçantë në veri e cila ka nevojë për zgjidhje. Por as barrikadat, dhuna dhe as referendumet nuk janë zgjidhja. Tek ajo mbërrihet vetëm nëpërmjet këshillimeve dhe dialogut.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, shtoi se BE ka mbajtur shënim deklaratat nga Beogradi. Këto të fundit shqetësohen vetëm për shtyrjen e këtij referendumi, pas marrjes së statusit kandidat. Por mbajtja e tij është në kundërthënie me konkluzionet e samitit të fundit të BEsë dhe veçanërisht ndaj qëndrimit të Gjermanisë, vend i cili vë në rrezik dhënien e statusit për Serbinë.

Maja Koçijançiç:
Në lidhje me pyetjen specifike për statusin kandidat, unë besoj se konkluzionet e këshillit, në dhjetorin e kaluar, ishin shumë të qarta. Kjo çështje është në axhendën e Këshillit në fund të këtij  muaji, dhe i takon këtij të fundit të marrë vendimin e duhur, duke u bazuar në atë çfarë thamë në dhjetor.

Referendumi që pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën, është cilësuar si një “provokim i panevojshëm” edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek.

Ulrike Lunaçek, raportuesja e PE për Kosovën: Ky referendum është krejtësisht kundërprodhues dhe përfaqëson një provokim të panevojshëm i cili vetëm mund ta dëmtojë dialogun mes qeverive të Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që BE ta bëjë të qartë. Qeveria e Kosovës duhet të injorojë këto provokime dhe të përgjigjet duke e pëforcuar programin e saj për minoritetet.

Referendumi për njohjen apo jo të qeverisë së Kosovës organizohet nga strukturat paralele të Beogradit në veri, për të cilat Gjermania kishte kërkuar shkrirjen, pas konfrontimeve të dhunshme me ushtarët gjermanë të KFOR-it dhe lëndimit të këtyre të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA