Serbët e veriut të Kosovës nisën ditën e martë votimin për të shprehur vullnetin e tyre përsa i përket pranimit apo jo të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Me gabime drejtshkrimore fleta e votimit përvecse në gjuhën serbe është shpërndarë edhe në gjuhën shqipe. Pyetja të cilës votuesit i përgjigjen është: “A po pranoni institucionet e ashtuquajtura “Republika e Kosovës”.

Askush nga lideret institucional në Kosovë nuk e ka komentuar mbajtjen e referendumit në Veri. Por opozita është treguar e ashpër duke treguar format, që sipas saj do të rrëzojnë qeverinë e kryeministrit Thaci. Glauk Konjufca paralajmëroi protesta të mëdha për t’i ndalur sic tha ai, kompromiset e reja të qeverisë që po e shkëput Veriun dhe po e zhveshin Kosovën nga shtetësia.

“Referendumi i organizuar nga strukturat e paligjshme të Serbisë në veri të Kosovës, e dëmton republikën tonë. Këto struktura po krijojnë një pikë reference politike me të cilat ata do t’i qasen qeverisë sonë dhe prej së cilës do të kërkojnë më pas bisedime politike për veriun. Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron qeverinë se populli dita-ditës po i soset durimi me këto kompromise të pafund dhe se ne do të organizojmë demostrata të mëdha në mbrojtje të Republikës. Nëse qeveria është e gatshme për lëshime për veriun e vendit dhe për Republikën ajo duhet të bëhet e gatshme për demostrata masive në Prishtinë”, deklaroi Glauk Konjufca, nënkryetar i VV-së. 

Nga ana tjetër LDK-ja nuk pajtohet me idenë e Vetëvendosjes për të protestuar. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri thotë se do të përdoren metodat institucionale nëse qeveria vazhdon të lëshoj pe në raport me Serbinë në dëm të shtetit.

“Metodat e reagimit mund të jenë institucionale, nuk është vetëm rruga mjet i zgjidhjes së këtyre problemeve, mund të përdorim metoda parlamentare nëse gjykojmë për vendime të dëmshme nga ana e qeverisë. Do të shohim se cili do të jetë guximi i kësaj qeverie dhe i këtyre njerëzve të bëjë dicka në dëm të këtyre qytetarëve”, thotë kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Referendumi në Veri të Kosovës zhvillohet në kohën kur qeveria po përballet me presion të madh ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje në veriun e vendit. Sidoqoftë ky referendum nuk ka bazë ligjore dhe kështu është vlerësuar edhe nga opozita e cila ka numëruar nenet e kushtetutës me të cilat një veprim i tillë bie në kundërshtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA