Një vrasje ka tronditur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Lushnjes, ku viktimë ka mbetur 17-vjeçari Françesko Dervishi.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në fshatin Kolonjë, ku i riu kishte hyrë në stanin e një bariu për të vjedhur.
Për rrjedhojë, pronari i stanit, shtetasi Ibrahim Gjolena, me të vënë re lëvizjet, e ka qëlluar 17-vjeçarin për vdekje. Burimet shtojnë se forcat e policisë, në veçanti agjentët e anti-krimit, janë vënë në lëvizje për mbledhjen e provave.
Dukagjin, nipi vret xhaxhain
Një tjetër krim i rëndë është regjistruar në vend. Pasditen e së
premtes, në Dukagjin, një 40-vjeçar ka mbetur i vrarë si pasojë e një
mosmarrëveshjeje familjare.
Burime policore lokale bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Sokol Murraca, i cili është qëlluar me armë nga nipi i tij 20-vjeçar.
Sipas burimeve, nga hetimet paraprake dhe dëshmitë e para të mbledhura ka rezultuar se vrasja ka ardhur për motive të dobëta.
Cërrik, plagoset me thikë i riu
Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, këtë herë në Cërrik, ku është plagosur me thikë një i ri 25-vjeçar.
Sipas informacioneve të fundit, ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen numër 3, pas një zënke që shtetasi Olsi Sadushi pati me një person tjetër.
Burime policore lokale bëjnë të ditur se i plagosuri është dërguar në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa i dyshuari i plagosjes, shtetasi Pëllumb Sulmina, është ndaluar nga policia.
Këto ngjarje ndodhin vetëm disa ditë pas vrasjes së një farmacisteje në zonën e Shkozës dhe asaj të kalimtares Megi Jukiçi në lagjen Komuna e Parisit.
Vrasjet në fjalë pasuan me valën e atentateve
me armë zjarri dhe eksploziv të regjistruara pak ditë më vonë në Tiranë, që kanë vënë në pikëpyetje situatën e sigurisë dhe rendit
publik në vend.
Ish-drejtues të Policisë së Shtetit vlerësojnë se krimi në vend është rritur me shifra të frikshme, ndërkohë që autoritetet aktuale deklarojnë se siguria është më e mirë se më parë.
Nga ana tjetër, zyrtarë të policisë refuzojnë të publikojnë dokumente faktike që tregojnë nivelin e vërtetë të kriminalitetit.
Top Channel