Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper dhe shefi i delegacionit serb në këtë proces, Borisllav Stefanoviç janë takuar në vjenë.

Në qendër të bisedimeve ka qenë përgatitja për raundin e ardhshëm të dialogut, në veçanti çështja e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale.

Gjithashtu, një tjetër temë që është diskutuar ka qenë ajo për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve në raundet e mëparshme të dialogut.

Këto çështje janë njëkohësisht edhe kushte që Beogradi duhet të përmbushë, në mënyrë që BE të marrë një vendim pozitiv për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë në muajin mars.

Dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe deri tani, me ndërmjetësimin e BE-së, janë zhvilluar në disa raunde.

Për të nxitur vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve të sipërpërmendura, Cooper zhvilloi muajin e kaluar një vizitë në Beograd, ku bëri përpjekje për kapërcimin e hendekut mes palëve.

Por përpjekjet dështuan për shkak se Beogradi nuk lëviz nga qëndrimi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Cooper kishte parashikuar edhe një vizitë në Prishtinë, të cilën u detyrua ta anulonte dhe ta zëvendësonte me një video-konferencë me shefen e delegacionit kosovar, Edita Tahiri.

Nga ana e tyre, autoritetet kosovare deklarojnë se Kosova në nismat rajonale do të paraqitet e barabartë me të tjerët dhe se rezoluta 1244 është e tejkaluar.

Top Channel