Shefi i ekipit negociator serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se Serbia nuk heq dorë nga përmendja e  rezolutës 1244 në përfaqësimet rajonale të Kosovës.

“Ekzistojnë disa opsione dhe secila përmban rezolutën 1244. Do të shohim se çfarë do të ndodhë më tej”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.

Ai ka theksuar se Beogradi vazhdon të bëjë konsultime të përgjitshme me komunitetin ndërkombëtar duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, e cila bazohet në rezolutën 1244.

“Prishtina po i refuzon të gjtha opsionet dhe situata edhe më tej fatkeqësisht duket e tillë. Por, ne nuk jemi në bisedime vetëm me Prishtinën, fatmirësisht, sepse ndryshe deri tani nuk do të kishte asnjë marrëveshje”, ka shtuar Stefanoviç.

Muajin e kaluar ishte vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç që deklaroi se Serbia nuk do të tërhiqet kurrë nga rezoluta 1244, të cilën ai e vlerësoi si “vijë të kuqe”.

Ndërsa kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi javën e kaluar në Parlament se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është e tejkaluar dhe se shteti i Kosovës është i përjetshëm.

”Ju siguroj të gjithëve se rezoluta 1244 për mua dhe qeverinë, Kuvendin e popullin e Kosovës është e tejkaluar, ndërsa shteti sovran dhe i pavarur është i përjetshëm”, deklaroi Thaçi.

Të njëjtën gjë tha edhe ambasadori gjerman në Beograd, Wolfram Mass, sipas të cilit rezoluta e Këshillit të Sigurimit tashmë i përket së kaluarës, pasi Kosova është një shtet i pavarur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA