Ambasadori gjerman në Beograd, Wolfram Mass është shprehur kundër idesë
së qeverisë serbe që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë
të rezolutës 1244.
“Rezoluta 1244 i takon së kaluarës. Ajo u prezantua në vitin 1999 dhe që atëherë kanë kaluar shumë vite”, ka deklaruar Mass për mediat serbe.
Diplomati ka nënvizuar se Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu edhe shumë vende të tjera të BE-së dhe të gjithë botës.
Përsa i përket Serbisë, Mass ka theksuar se vendi duhet të përmbushë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian më 9 dhjetor nëse do që të marrë statusin e kandidatit.
“Nëse përmbushen kushtet që janë vënë, atëherë nuk ka rrezik për vendosje të kushteve të reja”, ka shtuar ambasadori Mass, i cituar nga mediat serbe.
Më herët gjatë muajit ishte vetë ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, që ritheksoi mbështetjen e Gjermanisë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe perspektivës evropiane të saj.
Gjatë një takimi me homologun kosovar Enver Hoxhaj, Westerwelle i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vijojnë dialogun mes tyre duke treguar më shumë fleksibilitet, me qëllim arritjen e progresit.
Shefi i diplomacisë gjermane deklaroi se është në interes të dy palëve dhe gjithë rajonit që në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të arrihet sa më shpejt progres për cështjet teknike.
Top Channel