Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt ka deklaruar se Brukseli pret të shohë më shumë progres në procesin e bisedimeve teknike mes Serbisë dhe Kosovës.

“Ne do të ndjekim me vëmendje dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe po ashtu situatën në veri të Kosovës”, ka thënë Bildt gjatë një vizite në Zagreb.

Shefi i diplomacisë suedeze ka vlerësuar se, në nivelin e brendshëm kombëtar Serbia i ka përmbushur kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për në BE.

Gjithashtu, gjatë bisedimeve me zyrtarët kroatë, Bildt ka thënë se pret që referendumi i së dielës për hyrjen e Kroacisë në BE të ketë një rezultat pozitiv.

Një apel analog për më shumë progres në bisedime e bëri para pak ditësh edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i cili i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vijojnë dialogun mes tyre duke treguar më shumë fleksibilitet.

Westerwelle deklaroi se është në interes të dy palëve dhe gjithë rajonit që në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të arrihet sa më shpejt progres për cështjet teknike.

“Duhet arritje e shpejtë e progresit në bisedime, pasi kjo është në interes të Kosovës, Serbisë dhe gjithë stabilitetit rajonal”, tha Westerwelle.

Këto deklarata shefi i diplomacisë gjermane i bëri pas një takimi të zhvilluar të hënën në Berlin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Bisedimet për cështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojnë më vonë gjatë janarit dhe në qendër të tyre do të jenë tre cështje: energjitika, telekomunikacioni dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale e më gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA