Bisedimet për cështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojnë gjatë janarit dhe në qendër të tyre do të jenë tre cështje.

Sipas raportimeve të “RTK”, cështjet në fjalë do të jenë energjitika, telekomunikacioni dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale e më gjerë.

Data e saktë e raundit të ri ende nuk dihet, por Prishtina dhe Beogradi zyrtar konfirmojnë se dialogu do i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të vazhdojë.

Shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka paralajmëruar edhe një takim në muajin shkurt, duke deklaruar se tani Serbia nuk mund të vendosë më kushte.

Në raundin e fundit të bisedimeve dy palët ranë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë, e cila nisi zbatimin në dhjetor.

Megjithatë, marrëveshja në fjalë u kritikua nga partitë opozitare në Kosovë, në vecanti nga lëvizja Vetëvendosje, e cila e cilësoi si një marrëveshje nënshtrimi.

Ndërsa udhëtarët dhe tregtarët e cilësuan atë si më të dëmshmen, si pasojë e kostos së lartë të shkaktuar nga taksat dhe detyrimet për pajisjen me targën e duhur.

Vetëvendosje akuzon qeverinë e Kosovës se në tetë raunde bisedimesh që ka zhvilluar deri tani me Serbinë ka lëshuar shumë pe, duke dëmtuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Secili nga tetë raundet e negociatave ka qenë një hap përpara për zhbërjen e shtetit të Kosovës”, thuhet në një deklaratë të lëvizjes Vetëvendosje, e cila mban titullin “8 dhuratat e Edita Tahirit për Kosovën”. 

Top Channel