Komisioni Elektoral Rus ka mbyllur procesin e regjistrimit të dokumenteve për kandidatët në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më katër mars në vend.
Për t’u pranuar në garën elektorale duhen të paktën 2 milionë firma dhe jo mbi 2 milionë e 100 mijë, bëjnë të ditur agjencitë ruse të lajmeve.
Tre janë kandidatët që do të sfidojnë kryeministrin Vladimir Putin në zgjedhje: miliarderi Mikhail Prokhorov, liberali Grigori Iavlinski dhe guvernatori i rajonit të Irkutskut, Dmitry Mezentsev.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kur shpalli kandidaturën, Prokhorov e cilësoi atë si vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij.
”Kam marrë vendimin më të vështirë të jetës sime. Do të konkurroj për president”, deklaroi Prokhorov gjatë një konference për shtyp, ku shtoi se nuk kishte ndërmend ta ndërtonte fushatën e tij në shkëmbim kritikash me Putin.
“Kritikat nuk do të zënë më shumë se 10% të fushatës sime, pasi pjesa tjetër do t’i përkasë gjërave që unë dua të realizoj”, tha miliarderi.
Ndërsa kandidati tjetër, Dmitry Mezentsev, rreth një javë më parë hodhi poshtë akuzat se grupi i tij i fushatës zgjedhore kishte mashtruar.
Kjo pasi një gazetë kishte publikuar një artikull, në të cilin ai akuzohej se kishte punësuar studentë, të paraqitur si vullnetarë, për të mbushur në mënyrë fiktive listat e mbështetësve të tij.
Ndërsa Vladimir Putin, që shihet edhe si favorit, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në debate televizive në kuadër të fushatës elektorale për Kremlinin.
Top Channel