Policia e Kosovës, pak pas orës 20:00, doli me një komunikatë për mediat ku saktësoi se numri i aktivistëve të arrestuar të Vetëvendosjes është 146, pjesa më e madhe e të cilëve në pikën kufitare të Mërdarës, ku u regjistruan edhe incidentet më të rënda.

Ndërkohë, sqaron policia, numri i efektivëve të lënduar është 28.

Sipas policisë, aktivistët dhe protestuesit e Vetëvendosjes kanë sulmuar me gurë dhe sende të tjera të forta policinë e cila ka ndërhyrë për zhbllokimin e pikëkalimeve kufitare në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Mes të ndaluarve, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, janë edhe dy deputetët, Liburn Aliu dhe Glauk Konjufca, ndaj këtij të fundit, sipas po të njëjtave burime, është ushtruar dhunë nga ana e policisë.

Policia njoftoi gjithashtu se të dyja pikat e kalimit për në Serbi, si ajo e Merdares, si ajo e Dheut të Bardhë i janë rikthyer normalitetit dhe nuk ka bllokime.

Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, janë sprapsur nga policia në Dheun e Bardhë duke u vendosur disa qindra metra larg rrugës nacionale.

Vetëvendosje ka paralajmëruar vijimin e protestës së saj deri në momentin kur qeveria, sipas saj, të zbatojë reciprocitetin politik e tregtar me Serbinë.

Konjufca:Qeveria eshte nenshtruar ndaj Serbise

Deputeti i Vetevendosjes, Glauk Konjufca, ne nje interviste per Top Channel deklaroi se policia reagoi ndaj aksionit te se shtunes ne pikat kufitare, duke mos lejuar zhvillimin normal te nje proteste demokratike.

“Problem i kryeministrit Thaci eshte programi i Vetevendosjes. Ne nuk duam nenshtrim nga mekanizma te huaj. Qeveria aktuale eshte nenshtruar ndaj Serbise, ka nenshkruar disa marreveshje ne Bruksel, duke mos respektuar Kosoven”, tha Konjufca, ne intervisten e tij.

Deputeti premtoi organizimin e aktiviteteve dhe nismave te tjera te levizjes, por nuk sqaroi nese do te kishte dicka konkrete diten e diel. Konjufca u ndalua nga policia dhe u la lire rreth ores 22:30, por gjate intervistes nuk sqaroi nese ndaj tij ishte ushtruar dhune fizike.

Policia ndërhyn edhe tek Dheu i Bardhë 

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë edhe në
pikëkalimin kufitar të Dheut të Bardhë duke shpërndarë aktivistët e
lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë u vendosën forca të shumta policore që shpërndanë turmën e mbledhur në mbështetje të aktivitetit të lëvizjes Vetëvendosje. Edhe këtu mendohet se ka patur dhjetra arrestime. Sipas Vetëvendosjes, mes të arrestuarve është edhe nënkryetari i saj Shpend Ahmeti.

Reagon qeveria

Ndërkohë, qeveria e Kosovës përmes një komunikatë ka shprehur keqardhjen për “veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj forcave të rendit”.

Në komunikatë, qeveria u bën thirrje drejtuesve të Vetëvendosjes që të shmangin përdorimin e dhunës ndaj policisë së Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen për forcat e sigurisë, që sipas komunikatës, treguan profesionalizëm në mbrojtjen e Kushtetutës së vendit.

Në Merdare

Pas protestës me moton “Serbia nuk kalon”, zhvilluar prej orës 13:00 në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, mesohet se dy kamione serbë kanë hyrë në territorin e Kosovës, të shoqeruar nga policia.

Policia njofton se 13 efektivë janë plagosur, pa problem për jetën, ndërsa janë ndaluar 42 protestues.

Fillimisht u fol për një arrestim të liderit, Albin Kurti, lajm që u mohua më vonë nga përfaqësues të Lëvizjes, si dhe nga zëdhënës të Policisë së Kosovës. Burime të tjera thanë se Kurti ka marrë mjekim pas disa lëndimeve të lehta të pësuara gjatë përleshjeve me policinë.

Ndërkohe, pak para orës 15:00 policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.  Ky zhvillim erdhi pas një paralajmërimi bërë nga policia për largimin e protesuesve nga pikat e kalimit kufitar. “Protestuesit duhet të largohen nga rruga sepse duhet respektuar marrëveshja e lëvizjes së lirë”, thuhej në thirrjen e policisë. Pas kësaj kërkese, kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti kërkoi nga policia që të mos ushtrohej dhunë, pasi protesta ka sfond paqësor. “Rruga nuk eshte bllokuar nga protestuesit, por nga policia”, tha Kurti.

Nisja e protestës

Prej ores 13:00 te se shtunes nisi protesta e organizuar nga levizja “Vetëvendosje” me moto “Serbia nuk kalon”.
“Problemi ynë i vetëm është Serbia, është ky vend që është vetëshpallur armik i Kosovës. Do të përdorim trupat tanë për të ndalur kamionët e Serbisë të hyjnë në Kosovë”, tha Kurti para mbështetësve. Sipas tij kjo eshte nje proteste paqesore dhe te gjithe te pranishmit nuk kishin asnje mjet te rrezikshem me vete. Protestuesit nuk mbanin pankarta në duar, por vetëm flamuj kombëtarë.

Ndërkohë faqja zyrtare e doganave të Kosovës në internet u bllokua nga hakerat, duke patur si mbishkrim fjalen “Vetëvendosje”. Por në reagimin e saj, lëvizja “Vetëvendosje” sqaroi se nuk kishte përgjegjësi për këtë ngjarje.

Bllokohen mbështetësit nga Shqipëria

doganën e Morinës dy autobusë me përkrahës nga Shqipëria për Lëvizjen “Vetëvendosje”, kanë mbetur te bllokuar në kufi. Sipas palës kosovare, shkak për ndalimin është bërë një defekt në sistemin kompjuterik.

Ndërkohë policia e Morinës nuk ka lejuar mediat që të filmojnë. Lëvizja “Vetëvendosje” në reagimin e saj për këtë cështje deklaroi se policia ndaloi mbështetësit duke u justifikuar me shkaqe teknike. “Policia dhunoi mbështetësit shqiptarë, kur ata tentuan ta kalojnë kufirin në këmbë”, thuhet në reagim. Sipas policisë, kompjuterat në doganë ishin sulmuar nga hakerat të cilët kishin shkruajtur “Vetëvendosje”, por vetë Lëvizja mohon të ketë patur gisht në këtë sulm.

Top Channel