Ndryshimet në Kodin Rrugor

29/12/2011 15:05

Tashmë që ndryshimet në Kodin Rrugor pritet të hyjnë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare, ekspertë të pavarur të sigurisë rrugore shprehin rezervat për ndryshimet e pjesshme që janë bërë, duke u përqendruar vetëm në kapitullin ku flitet për gjobat.

Eksperti Gëzim Hoxha dekaron për Top Channel se nuk mund të vendosen gjoba të dyfishuara për shoferët në një kohë që atyre nuk u ofrohet një rrugë brenda parametrave si dhe sinjalistikë e zbatueshme.

“Nuk vendoset siguria rrugore me gjoba. Ndërhyrjet në Kodin Rrugor duhen bërë në të gjitha segmentet e tij”, thekson Hoxha.

Për ta demonstuar këtë arsyetim, eksperti rrugor na i argumenton me vendosjen e tabelave në një rrugë nacionale dhe mjaft të frekuentuar, siç është rruga e re e aeroportit “Nënë Tereza”.

“Ka mospërputhje mes vendosjes së tabelës vertikale dhe asaj horizontale: njëra thotë lejohet parakalimi, tjetra thotë JO. Tek një tjetër ka ndërprerje nga rrugicat e shtëpive të fshatarëve në aksin nacional ndërkohë që kjo gjë nuk lejohet me kod.”

Për ekspertin tjetër Berti Koxhaj, ndryshimet në kod duheshin bërë në mënyrë që shoferët të reflektojnë tashmë që gjobat janë më të rënda. Por, edhe zoti Koxhaj propozon ndryshime totale për Kodin dhe jo vetëm për rritjen e vlerës së gjobës.

“Ndryshimi i gjobave duhej bërë në mënyrë që njerëzit të maten mirë kur bëjnë shkelje, por unë jam për një ndryshim rrënjësor të kodit, të mblidhen të gjitha grupet e interesit, që nga mënyra si do paguhet gjoba që nga siguracionet e deri tek perforamanca e policit në rrugë”, shprehet Koxhaj.

Mes ndryshimeve për dyfishimin e gjobave, interesant është neni për vendosjen e rripit në të cilin thuhet se cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerë deri në 12 vjeç ndëshkohen me gjobë dhe se kur shkelës është një fëmijë përgjegjësia është mbi drejtuesin e mjetit.

Top Channel