Pato pranë PSG

28/12/2011 13:10

Në Francë jepet pothuajse i përfunduar operacioni që do të largojë Paton nga Milani në drejtim të PSG. 50 milionë euro për kuqezinjtë dhe 7 milionë euro në sezon për sulmuesin brazilian është oferta e klubit kryeqytetas sipas mediave franceze.

Për Paton sezoni i kaluar ka qenë i vështirë: Robinho i zuri vendin në formacion, marrëdhënia jo shumë e mirë me trajnerin Allegri, Tevez që kërcënon t’i mbyllë edhe më shumë hapësirat në formacion… Për më tepër në Francë Pato do të gjejë ish-trajnerin Carlo Ancelotti dhe mikun e tij Leonardo.

Pra, Parisi është një destinacion që po merret seriozisht në konsideratë nga 23-vjeçari, por Galliani, administratori i deleguar i Milanit, shprehet: “Nuk kam asnjë sinjal as nga Pato dhe as nga Leonardo që të më bëjë të kuptoj se do të realizohet një operacion i tillë. Të jetë për mua, Pato do të qëndrojë 100% me ne, por nëse vetë ai kërkon të largohet…”

Gjithçka do të zgjidhet në ditët e para të janarit, në Dubai, ku Milan dhe PSG do të zhvillojnë një miqësore mes tyre.

Top Channel