Fluks në Kakavijë e Kapshticë

24/12/2011 09:15

Në pikën kufitare të Kakavijës është regjistruar të shtunën një fluks emigrantësh, të cilët kthehen në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.

Sipas njoftimeve të fundit, në orët e para të mëngjesit kanë hyrë në vend rreth 5500 emigrantë nga Greqia.

Burime pranë shërbimeve doganore bëjnë të ditur se të dyja doganat në pikat kufitare, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo greke, po punojnë me kapacitete të plota.

Kakavija është një pikë kufitare kyce për emigrantët që kthehen në Shqipëri nga shteti helen dhe shpesh herë aty nuk mungojnë edhe radhët e gjata.

Këto të fundit regjistrohen kryesisht kur refugjatët kthehen në vendet e mërgimit për t’iu rikthyer punës pas pushimeve dimërore ose verore.

Nuk janë të pakta rastet kur dogana greke, edhe në momente piku udhëtarësh, preferon të punojë me kapacitete të reduktuara dhe jo me kapacitete të plota.

Kur krijohen radhë të gjata, justifikimi i saj i preferuar mbeten defektet në kompjuter, të cilat bëjnë që karvani i makinave të arrijë në disa kilometra.

Fluks emigrantesh edhe në Kapshticë

Pika e kalimit kufitar të Kapshticës ka regjistruar probleme përsa i përket hyrjes së emigrantëve në vend duke bërë që automjetet të vendosen në radhë me 3 korsi.

Shifrat e larta të emigrantëve kanë krijuar vështirësi në menaxhimin e situatës nga pala greke e cila ka punuar vetëm me 4 sportele dhe herë-herë edhe ato kanë ngadalësuar ritmin e përpunimit të dokumentacionit.

Nga ana tjetër, situata është menaxhuar më së miri nga autoritetet doganore shqiptare të cilat të parapërgatitura për përballimin e fluksit, kanë kthyer sportelet dalëse në hyrëse duke mundësuar kështu një total prej 9 sportelesh në dispozicion të emigrantëve të cilët i janë drejtuar Shqipërisë.

Top Channel