Ukrainë, Fyle viziton në burg Tymoshenkon

13/12/2011 16:00

Komisioneri i Bashkimit Europian për zgjerimin, Stefan Fyle, vizitoi lideren e opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, në burgun në Kiev ku ajo po mbahet.

Vizita e së martës erdhi disa orë përpara se gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e saj të apelit ndaj vendimit për shtatë vjet heqje lirie, për shkak të abuzimit me detyrën.

Një protestë masive, ku u regjistruan edhe disa përplasje, zhvillohej njëkohësisht në dyert e gjykatës. Ndërkohë, shqetësimi për gjendjen shëndetësore të 51-vjeçares ka qenë i madh. Në nëntor, problemet me shpinën e bënë për Tymoshenkon të pamundur të lëvizte lirisht, aq sa autoritetet e burgut i dhanë një leje disa-orëshe, për t’u vizituar në një spital të specializuar.

Më parë gjatë vitit, ajo u shpall fajtore pasi firmosi me Rusinë një një marrëveshje gazi të dëmshme për interesat e Ukrainës, gjatë vitit 2009, kur ajo udhëhiqte shtetin. Burgosja është cilësuar si politike nga Brukseli, i cili ka bërë thirrje të përsëritura për lirimin e menjëhershme të lideres së Revolucionit Portokalli.

Megjithatë, dënimi jo vetëm që nuk u tërhoq, por ndaj saj u ngritën një javë më parë edhe dy akuza të reja, për evazion fiskal dhe përvetësim të fondeve shtetërore gjatë periudhës 1996-2000. Tymoshenko dhe mbështetësit e saj këmbëngulin se ajo është e pafajshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA