Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, deklaroi se u përpoq “deri në fund” për arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e krizës së borxheve në Europë, por u detyrua të vendoste veton për të mirën e interesave kombëtare.
Në një fjalim në parlament gjatë të hënës pasdite, Kryeministri
argumentoi se kërkesat e tij për disa modifikime të planin
franko-gjerman u bënë në “mirëbesim”, ndërsa i cilësoi pretendimet e tij si
“modeste, të arsyeshme dhe të rëndësishme”.
Cameron shpjegoi përpara antarëve të tjerë të kabinetit dhe deputetëve se vendosi veton kundër pasi sipas tij, plani i ri për shpëtimin e euros nuk parashikon masa “të mjaftueshme” për të rregulluar çështjet financiare.
Pas nxjerrjes së Britanisë nga marrëveshja për ndryshime në traktatin themelues të BE-së, Cameron është vendosur nën kritika të ashpra nga lideri i liberalëve në opozitë, Nick Clegg, si dhe nga liderë të tjerë europianë, me Presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, që ka përdorur tonet më të ashpra.
Cameron u tregua i kujdesshëm që t’i kërkonte përfaqësuesve të qeverisë që të interpretojnë veton e tij ashtu siç është. “Ne nuk kemi nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian. Përkundrazi. Londra do të vazhdojë të punojë për të forcuar shëndetin e përbashkët të Europës dhe euros, pasi në këtë luftë kundër borxheve, jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, theksoi Cameron.
“Downing Street”: Nuk po izolohemi në ishull
Anglia do të angazhohet në “bashkëpunim konstruktiv” me vendet e tjera
të BE-së, lajmëroi Kryeministria e ndodhur në “Downing Street”, përpara se David Cameron të shpjegonte veton e tij kundër traktatit të BE-së në
Parlament.
Në samitin thelbësor për të ardhmen e euros, mbajtur gjatë javës së shkuar, Cameron zgjodhi të mos përkrahte planin franko-gjerman, duke votuar kundër tij. Si rrjedhojë, Sarkozy-Merkel duket se do të miratojnë një plan që do të përfshijë të gjithë vendet e tjera të BE-së, pasi edhe Hungaria, Suedia e Çekia, vendet më skeptike, kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre i kundërt fillestar.
Vendimi i Kryeministrit Cameron, ndonëse ka gjetur përkrahje në shumicën e anglezëve, sipas sondazheve të kryera nga shtypi, është shoqëruar me kritika të forta nga ana e opozitës, e cila akuzon për “izolocianizëm” dhe për lënien e Britanisë të vetme në përballimin e krizës financiare.
I përballuar me kritikat e shumta, “Downing Street” lëshoi një deklaratë gjatë të hënës, në të cilën shpjegonte se mosmiratimi i ndryshimeve të Traktatit të Lisbonës për Europën nuk do të thotë se “bashkëpunimi i ngushtë dhe i gjithëanshëm me vendet e Europës do të pakësohet. Ne jemi po aq të angazhuar sa të gjithë shtetet e tjera në zgjidhjen e krizës së Eurozonës, çka do të ishte në të mirë të të gjithë”, lexohej në deklaratën zyrtare.
Nga ana e tij, Cameron shprehu të njëjtin qëndrim orë më pas në një fjalim në parlament. Ndonëse marrëveshja franko-gjermane është cilësuar si “zgjidhja e vetme” për Europën, plani nuk ka gjetur mbështetje të gjerë edhe në dy superfuqitë që e përpiluan atë.
Të hënën, kandidati për president i socialistëve në Francë, Francois Hollande, u shpreh se “ky pakt duhet rishikuar” dhe se kjo do të jetë gjëja e parë që do të bëjë ai nëse do të fitojë në zgjedhjet e majit.
Plani i Sarkozy-Merkel është bazuar në sanksione për vendet që do të abuzojnë me financat e tyre, sanksione që mund të shkojnë deri në dorëzimin e sovranitetit ekonomik, duke i dorëzuar planin buxhetor të një shteti për përpilim Komunitetit Europian.
Top Channel