Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, deklaroi se tashmë “ekzistojnë dy Europa të ndryshme”, pas samitit të javës së shkuar, në të cilin Britania e Madhe vendosi veton kundër ndryshimeve të traktatit themeltar të BE-së.
Sipas Sarkozy, ai dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, bënë gjithçka që kishin në dorë për të bindur Londrën që të firmoste marrëveshjen, e cila shihet si bazë për zgjidhjen e krizës ekonomike.
Presidenti i Francës, duke folur për “Le Monde”, e cilësoi samitin si “vendin ku lindi një Europë e përçarë”. Kryeministri i Britanisë, David Cameron, do të shpjegojë në orët e pasdites së ditës së hënë përballë Parlamentit Britanik se pëse votoi kundër ndryshimeve të propozuara.
Zëdhënësi i tij informoi më parë gjatë ditës, se pavarësisht mospjesëmarrjes në traktatin ku duket se do të aderojnë të 26 vendet e tjera të Bashkimit Europian, qeveria britanike mbetet e “angazhuar seriozisht në bashkëpunime konstruktive” me vendet e tjera europiane për zgjidhjen e krizës.
Në intervistën e tij për të përditshmen më të madhe franceze, Sarkozy, ndër të tjera shtoi: “Tashmë ekzistojnë dy Europa. Njëra prej tyre dëshiron të shikojë më shumë solidaritet midis antarëve të ndryshëm, ndërsa tjetra është e lidhur pas logjikës së tejkaluar të tregut të vetëm”. Sipas tij, strategjia franko-gjermane për zgjidhjen e krizës është bazuar në “pragmatizëm dhe inteligjencë”.
Top Channel