Kriza, BE marrëveshje pa Britaninë

09/12/2011 00:00

Të gjithë vendet e Bashkimit Europian, përvec Britanisë së Madhe, pas 10 orë diskutimesh, aprovuan një pakt për taksat dhe buxhetin, për të shmangur përhapjen e krizës së borxhit në eurozonë. 

Hungaria, që fillimisht deklaroi se do të qendrojë jashtë cdo marrëveshjeje, ndryshoi qëndrim.

Britania e Madhe vendosi veton për të bllokuar cdo përpjekje, të udhëhequr nga Franca dhe Gjermania, për të arritur mbështetjen e 27 vendeve anëtare. 

Kryeministri britanik David Kameron shpjegoi se nuk kishte firmosur marrëveshjen sepse binte ndesh me interesat e Britanisë së Madhe.

“Tani është e vështirë sepse kemi shumë presion. Por në fund, nëse shënon një vije finishi, duhet ta respektosh. U thashë britanikëve, po shkoj në Bruksel në përpjekje për të arritur një marrëveshje, por nëse ka mbrojtjen e nevojshme, nëse jo, nuk dua ta firmos dhe e kam mbajtur fjalën e dhënë”, tha Kameron.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj nënvizoi përpjekjet e përbashkëta të 26 anëtarëve të BE-së duke pranuar se euro është një e mirë e përbashkët.

“Kjo formulë ka disa mangësi, por ne do të përpiqemi t’i tejkalojmë dhe mendojmë se duhet të kemi një interpretim më të gjerë të rolit të institucioneve, sic bëmë në të shkuarën”, tha Herman Van Rompuj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Britania e Madhe është i vetmi vend që shprehu rezerva, por Kameron, pranoi, tha ajo, se një euro e paluhatshme është në interesin e Britanisë.

“Ne kemi arritur një hap të rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë afat-gjatë të euros. Ju mund ta pohoni, është zbulimi i madh për unionin e stabilitetit. Unioni i Stabilitetit, Unioni Fiskal do të zhvillohet hap pas hapi në vitet e ardhshme, por zbulimi i madh tashmë u arrit”, deklaroi Merkel.

Nga nëntë anëtarët e tjerë të Bashkimit Europian jashtë euros, Hungaria, Republika Ceke dhe Suedia, u deklarua se do të konsultojnë parlamentet e tyre, gjashtë vendet e tjerë, përfshirë, Danimarkën, Poloninë dhe Letoninë, kanë pranuar t’i bashkohen marrëveshjes së re.

Udhëheqësit europiane synojnë që “pakti fiskal” të hyjë në fuqi në muajin mars të vitit  të ardhshëm. Por cfarë parashikon ai?

MASAT E PAKTIT FISKAL

1- Një tavan  0.5% i Produktit Kombëtar Bruto ndaj deficiteve buxhetore vjetore të vendeve anëtare.

2- Pasoja automatike për vendet ku deficiti buxhetor tejkalon mbi 3 %  Produktin Kombëtar Bruto.
3- Rregulla më të ashpra që do të ruhen në kushtetutat përkatëse
4- Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM) do të hyjë në fuqi në korrik 2012.
5- Limiti prej 500 miliardë euro për ESM duhet të rivlerësohet.
6- Eurozona dhe vendet e tjerë anëtarë të BE-së të garantojnë mbi 200 miliardë euro për FMN-në, për të ndihmuar vendet e goditur nga kriza e borxhit.

Shefja e fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard mirëpriti paktin si hapin e duhur në drejtimin e duhur.

Lajmi nuk arriti të ndikojë te tregjet botërore, që vazhdojnë të shpresojnë në ndërhyrjen e Bankës Qëndrore Europiane.

Mediat Ndërkombëtare i vlerësuan kështu zhvillimet në Bruksel:

Për “The Guardian”, Britania e Madhe po përballet me izolimin e Europës, pasi David Kameron i vuri veto rishikimit të Traktatit të Lisbonës.

Në revistën prestigjoze “The Economist” blogu i Charlemagne, e quan marrëveshjen dhe mospjesëmarrjen e Britanisë, si “divorci i madh i Europës”.

Fajnënshëll Times thotë se udhëheqësit e Bashkimit Europian po përpiqen të përballojnë atë që është cilësuar si ndarja e madhe.

Për “Nju Jork Times”, marrëveshja nuk ishte një zgjidhje perfekte,  sepse duket se po institucionalizon “Europën e Dy Shpejtësive”, por nënvizon se pakti mund të ratifikohet më shpejt, se një traktat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA