Ministeriali i NATO-s nisi punimet dy ditore në Bruksel me diskutimet mbi veriun e Kosovës.
“Sapo diskutuam situatën në Kosovë që n’a shqetëson të gjithëve e më lejoni të jemi qartë: janë të papranueshme kufizimet në lirinë e lëvizjes, është e papranueshme përdorimii dhunës, dhe veçanërisht sulmet ndaj ushtarëve tanë dhe ndaj çdo anëtari të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, janë të papranueshme”, deklaroi Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm përshëndeti marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, për menaxhimin e integruar të pike kalimeve, siç i quajti Rasmusen, thirrjen e Presidentit serb Tadiç dhe heqjen e disa barrikadave nga veriu i Kosovës. Por këto, sipas tij, nuk mjaftojnë.
“Këto veprime konkrete konstruktive janë të mirëpritura, por ne duam të shohim më shumë, në mënyrë që liria e lëvizjes të rivendoset plotësisht në pjesën veriore të Kosovës, sepse tensionet janë të dëmshme për Serbinë, janë të dëmshme për Kosovën, dhe për të gjithë rajonin”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Deklarat e Sekretarit të Përgjithshëm, u bënë në përfundim të ditës së parë të takimit të ministrave të jashtëm të Aleancës, të cilët diskutuan dhe për bashkëpunimin me Rusinë, situatën në Afganistan dhe përgatitjen e samitit të Majit që do të mbahet në Çikago.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel