Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, u takua në Bruksel me Presidentin e Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuj.
Kryeministri i Kosovës tregon që për herë të parë ka oferta konkrete për Kosovën nga BE, qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për tregtinë dhe anëtarësimin në BERZH.
Por, në konkluzionet e Këshillit të BE-së ofertat konkrete ndaj Kosovës, kushtëzohen nga përmbushja e kushteve në vend.
“Këshilli riafirmon se Kosova do të përfitojë gjithashtu nga perspektiva e liberalizimit eventuale të vizave, sapo të gjitha kushtet të jenë plotësuar. Këshilli thekson se progresi i mëtejshëm në fushën e drejtësisë, lirive dhe sigurisë është thelbësore. Këshilli i kujton Bashkimit Europian gatishmërinë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës përmes një perspektive të qartë europiane, në përputhje me perspektivën europiane të rajonit. Ai nënvizon nevojën për të marrë hapa konkrete për këtë qëllim. Pa paragjykuar qëndrimin e Vendeve Anëtëtare mbi statusin, Këshilli fton Komisionin të vlerësojë progresin e Kosovës për çështjet që lidhen me tregtinë, dhe të propozojë rrugën përpara drejt një marrëveshje, sapo të jetë kryer progresi i mjaftueshëm. Këshilli njeh se zhvillimet ekonomiko-sociale të Kosovës do të nxiteshin gjithashtu nga anëtarësimi në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pa paragjykuar qëndrimet e Vendeve Anëtare ndaj statusit”, thuhet në konkluzionet e Këshillit.
Një natë më parë shefi i qeverisë kosovare u prit nga Komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle dhe të enjten paradite Hashim Thaci do të takohet dhe me shefen e diplomacisë europiane, Catherine Ashton.
Lunacek: Optimiste për lëvizjen e lirë
Raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek është shprehur optimiste se qytetarët kosovarë do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Evropë.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin Hashim Thaci, Lunacek ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në përpushjen e axhendës evropiane, si dhe në dialogun teknike me Serbinë.
Sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë së Kosovës, eurodeputetja ka konfirmuar mbështetjen e anëtarëve të Parlamentit Evropian për të ardhmen evropiane të shtetit të ri.
“Në takim është diskutuar për proceset e rëndësishme që po kalon Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe në atë të integrimit evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në të nënvizohet më tej se kryeministri Thaci, nga ana e tij, ka garantuar Lunacek për vazhdimin e rolit konstruktiv të Kosovës në rajon dhe në bisedimet me Serbinë.
Gjithashtu, kryeministri ka falenderuar eurodeputeten dhe kolegët e saj për kontributin e dhënë në mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel.
Top Channel