Gjenerali Erhard Drews ka deklaruar se KFOR-i nuk do të tolerojë më asnjë akt dhune ndaj ushtarëve të tij, që janë vendosur për ruajtjen e sigurisë në veri të Kosovës.
Deklaratën e tij, Drews e ka bërë pas një takimi me kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet e fundit në zonën e trazuar të Kosovës.
“Në rast të përshkallëzimit të situatës, sic ndodhi të hënën, ne do të përgjigjemi me të njëjtat mjete që kanosen ushtarët e mi”, ka deklaruar Drews.
Sipas raportimeve të “RTK”, gjenerali gjerman ka shtuar se nuk i beson deklaratës së presidentit serb Boris Tadic, i cili pak ditë më parë bëri thirrje për një largim të barrikadave, përderisa nuk sheh veprime konkrete nga Beogradi.
Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka vlerësuar se vendet e BE-së duhet të ashpërsojnë qëndrimin e tyre ndaj politikës së Serbisë që mban të trazuar veriun.
Megjithatë, ai ka shtuar se edhe institucionet e Kosovës duhet të kenë një angazhim më serioz për zgjidhjen e situatës së komplikuar në këtë zonë.
Ky është paralajmërimi i radhës i KFOR, që vendosi të “mbushë armët” pas ngjarjeve të së hënës ku mbetën të plagosur rreth 25 ushtarë nga aktet e dhunës së serbëve të Jagjenicës.
Edhe kreu i komandës së Aleancës së Atlantikut të Veriut në Napoli, admirali Samuel Loclear, e cilësoi dhunën e serbëve ndaj KFOR-it si të papranueshme.
Top Channel