F1, 100 gara me Ferrarin për brazilianin Massa

22/11/2011 17:20

“Nuk ishte një sezon i mirë për ne dhe shpresoj që në vitin 2012 gjithçka të jetë ndryshe.”

Kështu është shprehur Felipe Massa, piloti i Ferrarit, në prag të garës së fundit të sezonit të Formulës 1, garë që do të zhvillohet në Brazil.

Gjithashtu, të dielën ajo e Interlagosit do të jetë gara e 100 e pilotit brazilian me skuderinë Ferrari.

“Do të jetë një garë e veçantë për mua sepse mbush 100 gara me Ferrarin pikërisht në pistën e vendlindjes time”, shprehet Massa në faqen zyrtare të skuderisë italiane.

Në lidhje me të ardhmen e tij në Formula 1, Massa u shpreh se është ende herët për të caktuar se kur do të lërë garat.

“Kam 10 vite në Formula 1 dhe nuk besoj se do të pilotoj kur të jem 40 vjeç, por nuk e di se në çfarë moshe do e lë. Dua vetëm që vitin e ardhshëm të bëj një paraqitje të mirë me Ferrarin”, deklaroi 30-vjeçari.

Top Channel