Felipe Massa, piloti brazilian i Ferrarit, është shprehur se në vitin e ardhshëm duhet të bëjë “një paraqitje më të mirë” për të shpërblyer besimin që i dha presidenti Montezemolo duke e konfirmuar si pilot të Kokëkuqes edhe për sezonin e ardhshëm.
“Dëgjova fjalët e presidentit. Është e rëndësishme që të kesh mbështetjen e ekipit, por për momentin jam i përqendruar në dy garat e fundit të sezonit të Formulës 1”, shprehet braziliani, i cili renditet i gjashti në klasifikimin e përgjithshëm të këtij sezoni.
“Viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për Ferrarin pasi këtë sezon nuk bëmë atë që pritej nga ne. Do të punojmë për të pasur një makinë kompetitive për garën e parë të 2012-ës. Duhet të paraqitemi më mirë”, shtoi Massa në faqen zyrtare të skuderisë italiane.
“Më vjen keq për ju gazetarët, por vitin e ardhshëm nuk do të ketë ndryshime me pilotët tanë”, tha Montezemolo para gazetarëve të dielën duke mbyllur çështjen e pilotit të dytë të Ferrarit që do të garonte me Alonson në vitin 2012.
Top Channel