“Zonja e hekurt”, filmi hollivudian kushtuar ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, luajtur në film nga diva e kinemasë, Meryl Streep, do të dalë në kinematë britanike në datën 6 janar.
Por kur duhen rreth 2 muaj për daljen e filmit në ekranin e madh, në Britani kanë nisur polemikat. Miq, aleatë politikë dhe familjarë të ish-lideres së konservatorëve anglezë kritikuan filmin. Sipas tyre filmi është “një turp, një ofendim për figurën e Margaret Thatcher”, e cila në film paraqitet “e paqendrueshme mendërisht”.
Por këto ishin kritikat e politikanëve, ndërsa kritikët e artit vlerësuan filmin si mjaft të arrirë.
Margaret Thatcher qeverisi Britaninë e Madhe nga 5 maji i vitit 1979 deri në 28 nëntor të vitit 1990. Ajo mbahet mend prej britanikëve për politikat e saj që rimëkëmbën ekonominë britanike si dhe për qendrimet në politikën e jashtme, me qendrimin e ashpër kundër Bashkimit Sovjetik dhe sidomos me vendimin që i shpalli luftë Argjentinës për cështjen e sovranitetit të Ishujve Falkland.
Lufta për ishujt Falkland nisi më 2 prill të vitit 1982 me pushtimin e ishujve nga ana e Argjentinës. Pas kësaj, Thatcher urdhëroi flotën, aviacionin dhe ushtrinë mbretërore të rimarrin nën kontroll ishujt. Lufta zgjati për rreth 2 muaj dhe përfundoi me dorëzimin e Argjentinës dhe rikthimin e ishujve nën kontrollin e “Kurorës”.
Në 12 tetor 1984, Thatcher i shpëtoi një atentati. Pas këtij sulmi ajo vazhdoi të qeverisë Britanine dhe më e fortë se më parë. Mbështetja popullore për të u rrit e për këtë u quajt “Zonja e hekurt” (Iron Lady).
Top Channel