Një atentator vetëvrasës ka sulmuar një autobus me trupa të huaja ushtarake në Kabul të Afganistanit, duke vrarë 13 ushtarë amerikanë.
Një zëdhënës i NATO-s deklaroi se atentatori hodhi në erë një makinë të mbushur me eksploziv në zonën e quajtur Darulaman, në perëndim të kryeqytetit.
Talebanët kanë pranuar përgjegjësinë për sulmin, një ndër më të rëndët ndaj forcave të huaja që nga fillimi i luftës. Sulme të tilla janë të rralla në Kabulin e super-mbikëqyrur.
Ndërkohë, në një sulm tjetër, tre ushtarë australianë u vranë nga një person që mbante veshur uniformën e ushtrisë afgane.
NATO tha se autori i vrasjes mbeti gjithashtu i vrarë nga sulmi, i kryer në jug të vendit. Më pak sulme kanë tronditur Kabulin këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.
Por talebanët dhe rrjeti Hakani, që është i lidhur me ta, kanë qenë në gjendje të depërtojnë edhe në zonat më të mbrojtura.
Në shtator rrjeti Hakani kreu një sulm ndaj ambasadës amerikane dhe selisë së komandës së NATO-s, që zgjati 20 orë.
Një gazetar i “Associated Press” që ndodhet në vendin e ngjarjes ka deklaruar se pjesa e prapme e autobusit ku udhëtonin ushtarët është shkëputur nga pjesa tjetër.
Sipas të njëjtit burim, në zonë kanë mbërritur helikopterët e forcave të Aleancës, të cilat po marrin trupat e ushtarëve të vrarë.
Përvec autobusit, shpërthimi ka shkaktuar dëme në ndërtesat përreth, duke thyer xhamat e dritareve, si dhe duke përhapur copa metali në ajër.
Top Channel