Sali Shehu në krye të KLSH-së

27/10/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi të enjten kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai është Sali Shehu.

Sipas ligjit, kryetari i Kontrollit te Larte te Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim te Presidentit te Republikes, me shumicë absolute votash.

Kjo do të thotë se zotit Shehu për t’u konfirmuar do t’i duhen 71 vota. Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar. Ndaj votimi i tij në parlament pritet me interes për të parë qëndrimin e mazhorancës ndaj tij.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konsiderohet një institucion mjaft i rëndësishëm, sepse sipas ligjit eshte institucioni me i larte i kontrollit ekonomik dhe financiar. KLSH i nenshtrohet vetem Kushtetutes dhe ligjeve. Nëse zgjidhet kryetar i KLSH, Sali Shehu do të qëndrojnë në detyrë per 7 vjet, me te drejte rizgjedhjeje.

Në të shkuarën e marrëdhënieve institucionale mes Presidentit dhe mazhorancës, dekretet e kreut të shtetit për gjyqtarët kanë qenë gjithmonë të paragjykuara. Nuk dihet nëse këta muaj të fundit që përkojnë edhe me përfundimin e mandatit të Presidentit, do të shërbejnë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, për hir të nevojës së institucioneve për të mos qenë të bllokuara dhe peng i retorikës politike.

Por vështirësia në marrëdhëniet mes Presidentit dhe mazhorancës është rritur së tepërmi pas ngjarjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar të këtij viti, pas akuzave që Kryeministri Berisha i bëri Bamir Topit, për pjesëmarrje të këtij të fundit në një puç shtetëror. Por ndonëse kreu i qeverisë e ka shprehur hapur qëndrimin e tij aspak vlerësues për Presidentin që para pak vitesh ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Berisha nuk ka preferuar të përfshihet në mënyrë publike në debatin e ndezur këto ditë mes Kryetares së Kuvendit dhe Bamir Topit.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA