Presidenti i Serbisë, Boris Tadic deklaroi të hënën se Kosova është një cështje e madhe për mbarë botën dhe se zgjidhja e saj është shumë e vështirë.

“Kosova është një problem jashtëzakonisht i madh, jo vetëm për serbët dhe shqiptarët, por për Evropën dhe gjithë botën. Zgjidhja e këtij problemi, vështirë të arrihet”, tha Tadic.

Duke folur para një grupi gazetarësh, Tadic theksoi se nuk mund të garantojë zgjidhjen e problemit të veriut brenda dhjetorit, kur pritet të jepet edhe rekomandimi i BE për dhënien e statusit të kandidatit.

Presidenti serb nënvizoi gjithashtu se ditën e diel ka zhvilluar një bisedë “të hapur dhe konstruktive” me përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“U thash se si duket situata reale politike, potenciali i Serbisë për të mbrojtur interesat e saj në Kosovë dhe parimet që do të zbatojmë në muajt e ardhshëm, nga të cilët nuk do të tërhiqemi”, deklaroi Tadic.

Krerët lokalë serbë nuk bien dakort me Tadic

Por serbët e veriut të Kosovës nuk u pajtuan me presidentin Tadic, me të cilin patën një takim për pesë orë me radhë.

Ata thanë se është e vështirë të pranohet që EULEX-i të qarkullojë lirshëm nëpër këtë zonë pasi nuk ka garanci se nuk do të transportojnë punonjësit e doganave dhe Policisë së Kosovës.

Por, po ashtu, sipas tyre, EULEX-i është duke zbatuar planin e Ahtisarit që nënkupton pavarësinë e Kosovës.

Katër kryetarët e komunave të veriut thanë se nuk është arritur një progres substancial në bisedimet me presidentin serb.

Sllavisha Ristic, kryetar i Zubin Potokut, tha se Tadic kërkoi lëvizjen e lirë për EULEX-in, por për këtë duhet pyetur populli.

Tadic, letër serbëve të Kosovës

Disa ditë më parë, presidenti Tadic u dërgoi një letër serbëve të Kosovës, ku i ftonte ata që të shmangnin dhunën.

Tadic ftonte serbët që të gjenin një zgjidhje me KFOR-in në mënyrë që të kalohej problemi dhe zonat ku janë barrikadat të bëheshin të qarkullueshme.

Në letrën e presidentit serb thuhej se, “duhet lejuar që KFOR-i të qarkullojë në veri, pasi Serbia qëndron prapa tyre politikisht dhe financiarisht”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA