Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri apel për hetimin e vdekjes së ish-liderit libian, Muamar Gadafi.
Grupe të të drejtave të njeriut kërkuan hetimin e vrasjes për zbardhjen e plotë të saj duke qenë se për vrasjen e së enjtes të ish-liderit libian, ekzistojnë katër versione të ndryshme.
“Kemi katër-pesë versione për mënyrën se si u vra Muamar Gadafi. Nevojitet kthjelltësimi i shumë detajeve, sidomos të mësohet nëse është vrarë gjatë shkëmbimti të zjarrit apo është kapur i gjallë e më pas është vrarë”, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB.
Qeveria e përkohëshme libiane njoftoi se trupi i pajetë i Gadafit nuk do të varroset, të paktën për disa ditë, për t’u lejuar hetuesve ndërkombëtarë të këqyrin atë në rast nevoje për hetimin e vdekjes së tij.
Flitet që trupi i Gadafit, ashtu si ai i ish-liderit të Al Kaedas, Osama Bin Laden, mund të hidhet në det, duke i mohuar varrimin. Autoritetet libiane i druhen shndërrimit të vendit të varrimit të kolonelit në një vend të shenjtë për mbështetësit dhe pasuesit e tij.
Muamar Gadafi u vra ditën e enjte në qytetin e tij të lindjes Sirte. Sirte ishte baza e rezistencës së fundit të forcave të kolonelit. Pas rënies së saj, pritet që qeveria e përkohëshme të shpallë “clirimin e vendit”.
Top Channel