Ish-diktatori i Libisë, koloneli Muammar Gaddafi, është konfirmuar i vdekur nga burime zyrtare, disa orë pas përhapjes së zërave të parë për këtë ngjarje.
Njeriu që drejtoi vendin e Afrikës Veriore për më shumë se 40 vjet nëpërmjet një regjimi autoritar dhe ushtarak, mbeti i vrarë në betejën për marrjen e Sirtes, qyteti i fundit i cili kishte mbetur ende në duart e besnikëve të diktatorit.
Ministri i Informacionit i qeverisë së përkohshme, Mahmoud Shammam, deklaroi se luftëtarët e ushtrisë rebele kanë mundur të identifikojnë trupin e pajetë të kolonelit. Ndërkohë, festimet kanë nisur të zhurshme në pjesë të tjera të vendit.
Fillimisht u raportua nga mediat ndërkombëtare se koloneli ishte plagosur në këmbë, por më tej u njoftua se Gaddafi ndërroi jetë ndërsa po transportohej me ambulancë.
Në Spitalin e Misurata-s, ish-dikatori mbërriti i vdekur. Koloneli u kap ndërsa po tentonte që të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte. Por një sulm i NATO-s i mbështetur edhe nga rebelët, plagosi Geddafi-n.
“Ai u kap, u plagos në kokë dhe në të dyja këmbët dhe është marrë nga një ambulancë”, deklaroi fillimisht për agjencinë e lajmeve “Reuters” anëtari i KKT-së, Abdel Majid.
Sipas këtij burimi, pati një shkëmbim të ashpër zjarri mes rebelëve dhe grupit mbrojtës të kolonelit para se ky të kapej, në vendlindjen e tij, Sirte.
Ndërsa një ushtar që thotë se e kapi personalisht liderin e rrëzuar ka deklaruar për BBC se në momentin e arrestimit Gaddafi bërtiti: “Mos qëlloni”.
Gaddafi, i cili ka qeverisur Libinë prej vitit 1969, u rrëzua nga pushteti pas protestave që nisën në vend në muajin shkurt.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kërkoi arrestimin e tij, nën akuzën për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj popullsisë libiane.
Ndonëse reporterët e mediave ndërkombëtare nuk kanë mbërritur ende në Sirte dhe lajmi nuk është konfirmuar prej tyre, deklarata e Shammam përbën burimin e parë zyrtar që konfirmon ngjarjen.
Cavez: Gadafi një martir
Komenteve të shpresës dhe urimit për një Libi më të mirë nga liderët e vendeve anëtare të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara, pas vrasjes së Gadafit, u shtohet “dhimbja” e presidentit venezuelian, Hugor Cavez.
Cavez tha për mediat e vendit të tij, se tashmë Gadafi është një martir, Gadafi ishte një luftëtar përgjatë gjithë jetës së tij, thotë Cavez, duke akuzuar më tej Shtetet e Bashkuara dhe Europën Perëndimore se po “i vënë flakën botës”.
Dhimbje për vdekjen e Gadafit ka shprehur edhe Kuba. Sipas Cavez, presidenti kubanez, Raul Kastro ishte i sigurtë se Gadafi do të vritej.
Liga Arabe: Të shikohet përpara, jo hakmarrje
Edhe Liga e vendeve arabe ka përshëndetur eleminimin e Muamar Gadafit dhe uron që vrasja e tij dhe marrja e të gjithë vendit nën kontroll nga forcat e KKT-së, të celë një faqe të mbarë të historisë së popullit të Libisë.
“Tashmë është koha të shikohet përpara duke shmangur hakmarrjen dhe cdo gjë që mund të minojë unitetin kombëtar dhe paqen në vend”, thuhet në mesazhin e Ligës Arabe.
Video: Kryengritësit shkelin trupin e pajetë të Gaddaf-it. KUJDES pamjet janë tronditëse.
Top Channel