Reforma, PDIU: Duam proporcional kombëtar

13/10/2011 00:00

Në Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që rëndom njihet si partia
e camëve, i kanë idetë e qarta. Popullsia came më shumë se sa e
përqëndruar gjeografikisht në një zonë të caktuar, është e shpërndarë në
tërë territorin. Ndaj camët duan një sistem proporcional kombëtar, që
të marrin maksimumin nga këto vota.

Por sistemi aktual proporcional me bazë qarku e përthyen votën. Mandatet e deputetëve kanë diferencë votash nga njëri qark në tjetrin.

“Vota nuk ka një karakter universal dhe një valencë njësoj në të gjitha qarqet dhe sigurisht ky është një sistem i padrejtë. Por mbi të gjitha ne e dimë që ky sistem u bë edhe për të zhdukur, do të thoja, partitë e vogla”, tha Idrizi.

Për të ndrequr një sistem që ka sjellë bipolarizimin e jetës politike dhe përftimin që partitë e mëdha nxjerrin nga aleatët e vegjël në koalicion, Shpëtim Idrizi propozon:”Sistemi i cili është transparent, i barabartë dhe më i thjeshtë në administrim është një sistem proporcional kombëtar. Nqs. kalimi në një sistem proporcional kombëtar kërkon ndryshime kushtetuese dhe është më i vështirë, atëhere ne jemi dakort që të kemi këtë sistem që është, por me një korrektim kombëtar”.

Por nuk përfundon këtu. PDIU shkon më tej, kur kërkon një KQZ jo partiake dhe një votim elektronik.

“Administrimi duhet të jetë civil jo politik, një KQZ e përbërë jo nga forcat politike, por mbi të gjitha, ne propozojmë që të kemi një sistem elektronik. Në pamundësi të një sistemi elektronik votimi, minimalisht duhet të kemi një sistem elektronik numërimi”, tha Idrizi.

Sipas Shpëtim Idrizit kjo do të evitonte ngërcin e fundit të zgjedhjeve, numërimin problematik, pas një dite të qetë votimesh. Kurse partive të mëdha do t’u hiqej mundësia të bënin përllogaritje dhe të ndikonin në mbarëvajtjen e nxjerrjes së rezultateve. Por PDIU është e qartë se për të imponuar idetë e saj, reforma e ardhshme zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo bipartizane, si deri më sot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA