Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic ka
deklaruar fati i bisedimeve Prishtinë-Beograd do të varet nga roli i
Brukselit.
Ky i fundit, sipas Ivanovic, duhet të bindë faktorin amerikan në Kosovë që t’u bashkohet persioneve ndaj autoriteteve të Prishtinës, të cilat po politizojnë bisedimet.
“Problemi qëndron në faktin se KE nuk ka të njëjtën influencë që ka SHBA në Prishtinë. Pyetja që shtrohet është se sa i aftë do të jetë KE të bindë ambasadorin amerikan që t’u bashkohet presioneve ndaj autoriteteve kosovare”, ka deklaruar Ivanovic.
“Nëse një gjë e tillë ndodh, dhe besoj se do të ndodhë, atëherë vazhdimi i dialogut është i sigurtë”, ka nënvizuar zyrtari serb për televizionin RTS.
Ai ka shtuar më tej se bisedimet kanë qenë gjithmonë në teh pasi pala kosovare ka dashur t’i politizojë ato në atë masë, në mënyrë që të fitojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Ivanovic vjen pak ditë pas vizitës së negociatorit të BE, Robert Cooper në Beograd, i cili nuk arriti të bindte palën serbe që të rifillonte bisedimet me atë kosovare, pas dështimit të raundit të shtatorit.
Kushti i palës serbe për rifillimin e dialogut është që në këtë proces të bisedohet edhe lidhur me situatën në veriun e Kosovës, konkretisht për pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut.
Ndërsa gjatë vizitës në Prishtinë, Cooper mori mesazhin se pala kosovare është e gatshme të vazhdojë dialogun për cështje teknike dhe vetëm si dy shtete të pavarura.
Top Channel