Negociatori i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, nuk ka arritur që ta
bindë Borislav Stefanovicin që të takohet me Edita Tahirin në Bruksel,
më 18 tetor, për të biseduar për energjetikën, telekomin dhe
përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës së Cooper-it në Beograd, Stefanovic ka kërkuar që fillimisht të bisedohet edhe për çështjen e pikëkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Burimet diplomatike, sipas Telegraf,kane shpjeguar se Robert Cooper nuk i ka kthyer kurrfarë përgjigjeje shefit të delegacionit serb të bisedimeve. Këshilltari i baroneshës Ashton i ka kërkuar Beogradit se Brukseli pret që palët të rifillojnë bisedimet aty ku kanë mbetur.

“Zoti Cooper do t’i shpjegojë Qeverisë së Kosovës qëndrimet e Beogradit dhe do të marrë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës. Roli i lehtësuesit është ky: që të dëgjojë palët dhe të shohë mundësitë që ato të afrohen”, thotë një zyrtar i lartë ndërkombëtar.

Sipas të njëjtave burimeve, palëve do t`u lihet mundësia që kur të jenë të gatshme të rifillojnë procesin, por sipas të njëjtave burime “ka pak gjasa që bisedimet të ndodhin në të njëjtin format”.

Thaci: Dialog, vetëm si të pavarur

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka shprehur sërish gatishmërinë e tij për të biseduar me Serbinë, por vetëm si dy shtete të pavarura.

“Nëse dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë do të nënkuptonte gatishmërinë e liderëve të dy shteteve të pavarura që me sukses të fillojnë një kapitull të paqes dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë, atëherë që sot jam i gatshëm për një dialog të tillë”, ka deklaruar Thaci.

Thaci deklaroi se me ndërhyrjen në veri të Kosovës kanë ndodhur një sërë ndryshimesh të mëdha dhe pozitive.

“Në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë do të vendoset rendi dhe ligji edhe në veri”, theksoi Thaci.

Ndër të tjera, kryeministri përgënjeshtroi zërat për synimin e tij për
të garuar për postin e presidentit të Kosovës vitin e ardhshëm.

“Unë kam një kontratë me qytetarët që më kanë dhënë besimin në
zgjedhje dhe këtë kontratë si kryeministër i vendit e respektoj
plotësisht”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA