Enkelejd Alibeaj, deputet demokrat i komisionet të ligjeve dhe ish-Ministër i Drejtësisë, mendon se kushtetuta e vitit 1998 dështoi në formulën e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, standardi i ulët i përzgjedhjes nxorri në ballë të skenës figura që nuk kanë ditur të jenë agresive në uljen e gjakrave politike dhe nuk kanë folur kurrë atëherë kur duhej.
”Kemi rënë pre e prodhimit të një hibridi presidencial, që ka gjetur në mënyrë më komode për veten e tij mbylljen në guackën e vet, i sulmuar ndoshta nga të gjitha anët me të drejtë apo pa të drejtë 24 orë/24, 7 ditë/7 dhe kjo është historia që unë besoj çoi në ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Alibeaj për “Top Channel”. Megjithatë, ai përjashtoi në mënyrë kategorike mundësinë e ndryshimit të kushtetutës në këtë pikë.
”Të paktën ajo pjesë e kushtetutës që i përket presidencës në këtë rast nuk është se i nënshtrohet ankthit apo makthit nëse do të ndryshohet kushtetuta, sepse tashmë kjo kushtetutë në këtë pjesë është e ndryshuar. E rëndësishme është se çfarë produkti do t’i ofrojmë sistemit parlamentar dhe kushtetues shqiptar në këtë rast”.
Në një farë mënyre zoti Alibeaj i përgjigjet vetë kësaj pyetje, kur shton më vonë se formula ekzistuese do të japë një president politik: “E sigurt është që kjo formulë ka aftësinë të prodhojë një president që do të ketë afërmendsh ngjyrat e mazhorancës që mbizotëron në momentin e zgjedhjes së presidentit”.
Pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, zgjedhja e presidentit të Republikës në raundin e katërt dhe të pestë bëhet me një shumicë të thjeshtë prej 71 votash. Në versionin e mëparshëm kjo formulë parashikohej vetëm pasi Kuvendi shpërndahej dy herë rresht për mos arritjen e një shumice të cilësuar prej 84 votash. Zëra të tjerë, veçanërisht Presidenti aktual i Republikës, Bamir Topi apo ish-Presidenti Moisiu, mbështesin zgjedhjen e Presidentit me votim direkt nga populli.
Kush e sulmon presidentin?
Deputeti Alibeaj thotë se Presidentin e Republikës e sulmojnë, ndaj ai ka zgjedhur të mbyllet në guackën e tij. Po kush e sulmon? Bashkë me kryeministrin Berisha, deputeti Aliabeaj është një nga ata që janë shquar në sulmet kundër Presidentit të Republikës.
Pse? Arsyet mund të jenë disa, politike dhe jo vetëm. Përshembull, Zoti Alibeaj ka qenë autor i ndryshimeve në ligjin për pronat, që në thelb i njihnin Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave komptencën për të ndryshuar vendime të formës së prerë.
Mirëpo modifikimet që ai i bëri ligjit, ishin antikushtetuese. Dhe i pari që e tha këtë, ishte Presidenti i Republikës, i cili më 13 gusht të vitit të kaluar e ktheu ligjin mbrapsht në parlament.
Gjykata kushtetuese i dha të drejtë presidentit dhe vendimi i gjykatës u zbardh të premten. Mirëpo kjo është hera e dytë brenda një viti që gjykata kushtetuese hedh poshtë ndryshimet në ligjin për pronën, sepse cënojnë parimin e sigurisë juridike për të drejtën e pronës.
Atëherë, kush duhet akuzuar publikisht? Presidenti apo juristët e mazhorancës që këmbëngulin në versionin e tyre antikushtetues të një ligji kaq të ndjeshëm sa ai i pronave? Zoti Alibeaj tregohet i sinqertë kur thotë se me sistemin aktual, presidenti i ardhshëm do të jetë politik.
Por, a nuk është kjo njësoj si të pohosh se presidenti Bamir Topi po sulmohet pikërisht sepse nuk është një njeri politik? Ndonëse i zgjedhur nga kjo mazhorancë katër vjet më pare, Presidenti përgjithësisht ka ruajtur një profil jo politik. Dhe sulmet kanë ardhur pikërisht nga mazhoranca që e zgjodhi.
Prandaj, debati që shtrohet për diskutim nuk ka të bejë aq me profilin e presidentit, se sa me faktin se një president politik do të dëmtonte ekuilibrat dhe pavarësine e institucioneve, formalisht të pavarura.
Top Channel