Wikileaks, Withers për të gjithë

05/10/2011 23:30

Komentet e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers për protagonistët dhe ngjarjet e politikës shqiptare, nuk bënë asgjë tjetër vecse na vunë përballë një pasqyre.

Ndërgjegja kolektive në Shqipëri duket se pësoi një goditje të fortë pas shpërthimit në Gërdec, më 15 Mars të vitit 2008, vetëm pak muaj pasi Withers kishte marrë detyrën e kryediplomatit amerikan në Tiranë, në Gusht të 2007-s.

Withers për Berishën

“Të marra së bashku, përpjekjet e Berishës për të ushtruar një kontroll më të madh mbi sistemin juridik, median dhe shërbimet e inteligjencës, plus përpjekjet e tij për të minuar hetimin e Gërdecit, zbulojnë një prirje të pagabueshme dhe shqetësuese; Objektivat e tij më të afërt duket se janë kontrolli i hetimit mbi Gërdecin, ai i SHISH, gjykatave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe medias. Të gjitha këto luajnë një rol të madh në ekspozimin e bizneseve të dyshimta dhe korrupsionin që coi në shpërthimin e Marsit, si dhe cka është më e rëndësishme; lidhjet e mundshme të djalit të Berishës që thuhet se ka patur interes biznesi në Gërdec. Një motivim i dytë është padyshim motivimi i Berishës për të kontrolluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare që janë caktuar në qershor të vitit 2009”

Në Gërdec humbën jetën 26 persona. Kjo ngjarje nuk ka ende fajtorë pavarësisht se asokohë ishte i përfshirë emri i një ministri madje dhe ai i djalit të kryeministrit, ky i fundit i përmendur edhe gjatë bisedës mes ish-ambasadorit Withers dhe ish-Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, të cili ai i kishte kërkuar të vazhdonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec dhe kjo të bëhej pa asnjë vonesë. Dokumenti mban datën 20 Qershor 2008.

“Nëse versioni i Hoxhës do të përmbajë elemente të së vërtetës, kjo do të ndihmojë në shpjegimin e një cështje të rëndësishme të ditës; Pse kryeministri ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme në këtë kohë, sulme që alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe vënë në pikëpyetje kredencialet demokratike të Shqipërisë, kur ka ende rrezik përsa i takon ratifikimit të NATO-s”.

Në vëmendje të diplomacisë amerikane ka qenë pavarësia e institucioneve shqiptare, SHISH dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në njërin prej kabllogrameve me titull: “Berisha kërkon një polici të re sekrete”, flitet për projektligjin e SHISH-it, të paraqitur në Kuvend në Janar të 2010-s. Në të kërkohej në esencë që SHISH-i të vihej nën kontrollin e kryeministrit.

Sulmet ndaj zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm u bënë më të shpeshtë pas shpërthimit në Gërdec. Në kabllogramin e 12 Terorit 2008, që vjen pak muaj pas shpërthimit në periferi të kryeqytetit, Withers duke iu referuar burimeve të shumta thotë:

Withers për Prokurorinë

“Sulmi është përpjekja e fundit për të devijuar hetimet në vazhdim, i pari ai i Gërdecit, i dyti ai i akuzave serioze të korrupsionit kundër Ministrit të Jashtëm, Basha dhe projektit Durrës-Kukës, ku abuzimi financiar shkon afërsisht në 200 milion euro. Duke iu referuar natyrës shpërthyese të këtyre hetimeve, kryeministri ka arsye të mëdha të vazhdojë, e madje të shtojë presionin ndaj zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”.

Sa i takon periudhës paszgjedhore dhe opozitës, është për t’u vecuar kabllogrami i 5 Gushtit 2009; “Zgjedhjet mbaruan. Kush është tani në ParlamentW”

Withers pas Zgjedhjeve 2009

“Për të dy partitë, deputetët ndërsa u zgjodhën nga populli, u emëruan personalisht nga udhëheqësit e partive, Rama, Berisha apo Meta, duke u dhënë atyre kontroll të jashtëzakonshëm ndaj atij që do të bëhet deputet. Qartazi shumë prej deputetëve janë zgjedhur vetëm për nga besnikëria ndaj udhëheqësve. Për këtë arsye perspektiva bipartizane do të jetë shumë e largët”.

Withers nënvizon edhe fakton që për herë të parë në historinë e Shqipërisë një forcë e majtë si LSI, bashkohet më të djathtën, Partinë Demokratike në një koalicion qeverisës.

Kur flet për Berishën dhe Ramën Withers thotë se mënyra e tyre e drejtimit është një vijë autoritare individuale që lëviz mes të dyve. Si Rama dhe Berisha njihen brenda partive të tyre si thuajse obsesiv në kontrollin e situatave.

Ndërsa bojkoti i PS-së, sipas ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, do të sillte vetëm pasoja negative për vetë partinë dhe vendin. Cka pasoi ngjarjen e hidhur të Gërdecit, ishte një krizë morale.

Withers për Metën

“Meta ka interesa biznesi të shtrira, është shumë i pasur dhe gjërësisht konsiderohet si i korruptuar në mënyrë spektakolare”.

Ky kabllogram i datës 24 Shtator 2009, i paraprin asaj që publiku shqiptar do të njohë pas transmetimit të videos, Meta-Prifti në Janar të këtij viti.

Pas Wikileaks zor se do të ketë një shans të dytë për të mësuar vlerësimin që kanë Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë, përtej shtrëngimeve të duarve. Kabllogramet, që mbajnë firmën e ish-ambasadorit John Withers, nuk bëjnë asgjë tjetër vecse zbuluan faqen e ndotur të politikës shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA