“Meta-Prifti”, ja detyrat e ekspertëve

25/09/2011 16:45

Në ambientet që nuk do jenë zyrtare, por një vend i përbashkët privat, tre ekspertët shqiptarë, Artur Rrahmani, Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri do të punojnë deri në 24 tetor për të dhënë përgjigjjet e tyre mbi 18 detyrat që Kolegji Penal u dha këtë të premte për video-skandalin Meta –Prifti.

Në fakt, ambientet e punës së tre ekspertëve kanë qenë objekt debati në seancën e fundit në Gjykatën e Lartë, derisa u vendos që ato të jenë zyra që do të përcaktohen nga vetë ekspertët, dhe në oraret e punës së tyre do të asistojë edhe një prokuror, prani që është kërkuar me ngulm nga akuza për shkak të frikës që Prokuroria ka për nxjerrje të materialeve dhe sekretit hetimor.

Po cilat janë pyetjet për të cilat ky grup ekspertësh edhe pse të kontestuar nga prokuroria do të përgjigjen e për të cilat do të japin konkulzione mbi cështjen që ka për momentin nën gjykim një nga ish-zyrtarët më të lartë të shtetit?

Pyetja e parë që duhet të sqarojnë Rrahmani, Pollo dhe Beqiri është a ka qenë ora ajo nëpërmjet të cilës është bërë regjistrimi i videos ku ish-zv/kryeministri Meta diskuton për afera me ish-ministrin e Energjitikës Dritan Prifti?

Së dyti ekspertët duhet të përcaktojnë datën dhe orën kur është bërë ky regjistrim. Më tej, nëse mundet të përcaktojë treshja e ekspertëve orën e shkarkimit në laptop? A  mundet kjo video të shkarkohet nëpërmjet provës tjetër, pra nëpërmjet USB? A ka kapacitetet ora për të kryer një regjistrim të tillë? A ka ndërhyrje audio dhe figure në videoregjistrimin me protagonistë deputetë të Kuvendit? Një pyetje tjetër përfshin edhe emisionin investigativ “Fiks Fare” dhe “Top Story” të cilët kanë transmetuar në atë kohë video regjistrimin. Detyra është për të verifikuar nëse në materialet e marra në këto dy emisione a janë autentike me të njëjtat materiale që u gjetën në orë dhe laptop.

Më tej gjykata bëhet specifike për një detyrë konkretë me pyetjen a mund të pastrohet video regjistrimi nga zhurmat, detyrë kjo që me sa duket do jetë një ndër kartat me të cilat do të luhet në gjykim, për shkak se edhe eksperti amerikan Glen Bart kur deklaroi ekspertizën e tij theksoi se figura ishte autentike, por nuk kishte mjetet e duhura të bënte pastrimin më të qartë të zërit të dy bashkëbiseduesve.

Megjithatë deri në 24 tetor përvec kësaj liste të gjatë ka edhe një test tjetër, jo zyrtar që do jetë prova e parë dhe përcaktuese për ekspertët shqiptarë. Këtu do të shihet nëse do dalin apo jo dy videot e tjera të zbuluara gjatë ekspertizës nga Glen Bart, ekspertizë që u shpall e pavlefshme nga gjykata për motive tipike proceduriale.

Disa nga detyrat e ekspertëve:

1) A ka qenë ora ajo nëpërmjet të cilës është bërë regjistrimi i videos?

2)
Cila është ora dhe data kur është bërë regjistrimi?

3) Kur është shkarkuar video në laptop?

4) A  mundet kjo video të shkarkohet nëpërmjet USB?

5) A ka kapacitetet ora për të kryer një regjistrim të tillë?

6) A ka ndërhyrje audio dhe figure në videoregjistrimin me protagonistët Meta-Prifti?

7) A mund të pastrohet videoregjistrimi nga zhurmat?

Videoja e tretë e Dritan Priftit

Gjatë hetimeve të video-skandalit Meta-Prifti, ekspertët zbuluan edhe një video të tretë përveç asaj të ish-ministrit Prifti me atë të zëvendësit të tij.

Videoja e tretë u deklarua nga vetë prokurori i çështjes “Meta”, zoti Bujar Sheshi, i cili deklaroi në seancën e fundit në Gjykatën e Lartë se kjo video dhe ajo me Beqirin nuk u duhej dhënë ekspertëve shqiptarë, pasi ka gjasa të bjerë në duart e ish-kryeministrit Meta dhe që mund të kthehet në një provë presioni për dëshmitarin kryesor të çështjes.

Video i është dhënë Prokurorisë së Tiranës dhe Task Force e cila ka regjistruar procedimin penal nën akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Prokuroria ka mbajtur sekret faktin e ekzistencës së saj për një kohë të gjatë dhe tani mësohet se për të ka fillua hetimi. Pas transmetimit të lajmit, Top Channel kërkoi nga deputeti Prifti të sqaronte brendinë e bisedës, personazhet dhe faktin nëse ai do ta publikonte videon.

Zoti Prifti deklaroi se “video të cilën përmend prokurori në gjyqin ndaj Ilir Metës është një material mes meje dhe Fahri Balliut. Ajo është në dorë të Prokurorisë. Nuk do ta publikoj pasi ajo është sekret për hetimin dhe unë nuk mund të shkel ligjin e hetimit”.

Deri tani, burimet thonë se në video flitet për një aferë në lidhje me një tender për shitje skrapi. 

Top Channel